Qeveria greke dënon vrasjen e dy anëtarëve të Agimit të Artë
Policia greke ka bërë të ditur se dy personat e vrarë pranë zyrave të partisë neo-naziste, “Agimi i Artë”, janë anëtarë të kësaj partie.Sulmi ka ndodhur të premten vonë, ndërsa Qeveria greke e ka dënuar fuqishëm atë.“Vrasësit, kushdo që janë ata, do të trajtohen pa u kursyer nga sistemi ynë i drejtësisë, si dhe nga shoqëria e bashkuar greke. Le ta dijë secili këtë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Simos Kedikoglou.Sulmi ka ndodhur disa javë pasi disa anëtarë të Agimit të Artë, përfshirë liderin e partisë, janë arrestuar nën dyshimet për krijimin e një organizate kriminale.Arrestimet kanë pasuar vrasjen e aktivistit antifashist, Pavlos Fyssas, në muajin shtator.Javën e kaluar, ligjvënësit grekë kanë votuar për të pezulluar fondet shtetërore për Agimin e Artë – partinë e tretë më të popullarizuar në Greqi.