Mbyllet fushata, Kosova në heshtje zgjedhore
Në Kosovë në mesnatë hyri në fuqi heshtja zgjedhore për zgjedhjet lokale të së dielës. Partitë politike, lëvizjet dhe nismat qytetare i dhanë fund fushatës zgjedhore, pas 30 ditë me radhë.Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 103 subjekte politike kanë zhvilluar fushatat e tyre duke paraqitur para votuesve programet elektorale. Për herë të parë në këto zgjedhje marrin pjesë edhe serbët në komunat në pjesën veriore të Kosovës.Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë fushata ka qenë e qetë, pa incidente, pa ndonjë ngritje të nivelit të fushatave.“Fushata ka qenë e qetë, pa incidente, pa ndonjë ngritje të nivelit të fushatave, siç jemi mësuar më parë. Pra, mund të them se fushata ka qenë megjithatë dinjitoze dhe shpresoj se edhe dita e zgjedhjeve do të jetë e tillë”, është shprehur Daka.Daka ka theksuar se KQZ-ja, ka përfunduar të gjitha punët sa i takon përgatitjeve për zgjedhjet lokale dhe se siç është shprehur ajo, tashmë nuk ka asnjë çështje të hapur për diskutim rreth zgjedhjeve.“KQZ-ja ka përfunduar të gjitha përgatitjet. Tashmë pothuajse çdo veprim, i cili është paraparë me planin operacional, ka përfunduar. Është në finalizim e sipër vetëm çështja e dorëzimit të materialit josensitiv dhe sensitiv, dhe kjo deri në ditën e zgjedhjeve do të përfundojë dhe pastaj na mbetet vetëm dita e zgjedhjeve”, ka bërë të ditur Daka.Të drejtën e votës në zgjedhje do ta kenë 1.779.357 votues, në 38 komuna të Kosovës.Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje për zgjedhje të qeta dhe demokratike, dhe shmangien e incidenteve dhe manipulimeve zgjedhore.BE, NATO dhe shtetet evroperëndimore kanë vlerësuar se këto zgjedhje që mbahen në nivel të tërë shtetit të Kosovës do të jenë test për të ardhmen e vendit dhe proceset evroatlantike.