Tension në prag të zgjedhjeve në Kosovë, vritet Bekim Birinxhiku, kandidati i AAK-së

Tension në prag të zgjedhjeve në Kosovë, vritet Bekim Birinxhiku, kandidati i AAK-së për këshilltar komunal.Mediat kosovare raportojnë se persona të panjohur kanë vrarë Bekim Birinxhikun, 38-vjeç, nga Qubreli i Skënderajt, ish-luftëtar, invalidë i luftës së UÇK-së dhe kandidat i AAK-së për këshilltar komunal, të shtunën rreth orës 16:15 minuta. Dëshmitarët kanë thënë, se Birinxhiku ishte duke folur me telefon, kur në të ishte shtënë nga një veturë në lëvizje.Mediat e Kosovës, duke iu referuar dëshmitareve raportojnë se ai ishte ftuar me telefon nga persona të panjohur që të takohëshin me ta në parkingun e xhamisë dhe pa mbërritur në vend ishte shtënë në të. Bekim Birinxhiku, është dërguar me të shpejt në QKMF-në e Skënderajt, por mjekët vetëm sa e kanë konstatuar vdekjen e tij.Në Stacionin e Policisë në Skënderaj nuk ka dhënë asnjë hollësi, përveç që e kanë konfirmuar rastin. Për motivin që ka çuar deri te kjo ngjarje tragjike, tani për tani nuk dihet. Bekim Birinxhiku ishte një prej luftëtarëve të parë të UÇK-së, ndërsa ishte i sistemuar në rajonin e Zonës Operative të Dukagjinit.Gjatë luftës, ai ishte plagosur dy herë, ndërsa pas lufte, ai bashkë me familjarët e tij kishte zhvilluar një biznes, në të cilin ishte treguar i suksesshëm. Në zgjedhjet e 3 nëntorit, AAK-ja dega në Skënderaj e pati kandiduar Birnxhikun për këshilltar komunal të Skënderajt. Ai është vrarë vetëm disa orë para se të fillonte proçesi i zgjedhjeve.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani: Vrasja e Bekim Birinxhikut nuk ka lidhje me proçesin zgjedhor të 3 Nëntorit

Në lidhje me këtë ngjarje, Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një komunikim ekskluziv me RTV "Ora News" është shprehur se autori i dyshuar i vrasjes së Birinxhikut është një punonjës i policisë së Kosovës.Sipas Kelanit, vrasja ka ndodhur pas një sherri mes dy personave, dhe autori i krimit është arrestuar.Zëdhënësi i policisë së Kosovës u shpreh gjithashtu se vrasja e Bekim Birinxhikut nuk ka lidhje me proçesin zgjedhor të 3 Nëntorit dhe se po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të këtij krimi.AAK: Të zbardhet vrasja e Birinxhikut

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar vrasjen në Skënderaj të kandidatit të listës së AAK-së në garën për Asamblenë Komunale të Skënderajt, në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, Bekim Birinxhiku.

“AAK, duke u rezervuar nga kualifikimi i këtij rasti të rëndë dhe kriminal mbi jetën e Bekim Birinxhikut, fton organet e rendit dhe të drejtësisë që sa më parë ta zbardhin rastin. Edhe pse nuk dihen motivet, fakti që vrasja është kryer një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, duhet t’i shtyjë organet e rendit dhe prokurorinë që ta zbardhin sa më parë këtë krim”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar familjen Birinxhiku.