Hoxhaj: SHBA-të, partner i përjetshëm i Kosovës
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar sot se qeveria është e angazhuar për përmbushjen e plotë të axhendës integruese të vendit.Në një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, Hoxhaj paraqiti disa nga progreset që po arrihet në Kosovë, për forcimin e shtetësisë, subjektivitetit ndërkombëtar dhe avancimin e vazhdueshëm të proceseve integruese në Bashkimin Evropian.Gjatë takimit, Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e jashtëzakonshme që SHBA-të kanë dhënë për Kosovën, në të gjitha proceset.Ministri Hoxhaj po ashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy shteteve, duke theksuar vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të shkëmbimeve me SHBA-të, si partneri kryesor strategjik i Kosovës.Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson, e uroi ministrin Hoxhaj për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke shprehur mbështetjen e mëtejshme të SHBA-së për proceset në Kosovë.Ambasadorja Jacobson po ashtu shprehu vullnetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për thellimin e bashkëpunimit bilateral me Republikën e Kosovës.