Kosova pa Ambasador në Tiranë, edhe 1 muaj burg për Sylejman Selimin

Do të qëndrojë edhe një muaj në qeli Sylejman Selimi, ish-luftëtar i UÇK-së dhe që mban ende postin e Ambasadorit te Kosovës në Tiranë. Gjykata Themelore e Mitrovicës, në vendimin e saj ka vazhduar paraburgimin edhe për një muaj për ish-komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimi, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar dy muaj paraburgim për pjesëtarët e dyshuar nga “Grupi i Drenicës”.Avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi, ka deklaruar se vendimi është skandaloz, i pa ligjshëm, i pa drejtë e madje edhe fyes."Me një vendim jo të drejtë, të paligjshëm dhe nën ndikimin direkt të Prokurorisë së EULEX-it, përsëri Gjykata Themelore e Mitrovicës ka vazhduar paraburgimin edhe për një muaj, deri më 23 nëntor për ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjeneral Sylejman Selimin dhe gjashtë bashkëluftëtar të tij. Të pretendohet se zoti Selimi dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët kanë dhënë gjithçka duke luftuar për çlirimin e Kosovës, 14 vjet pas luftës do të ikin nga Kosova, për të mos u përballur me shpifjet e njerëzve të shantazhuar dhe të blerë nga EULEX-i, për të siguruar një jetë më të mirë jashtë Kosovës, më së paku është krim ndaj drejtësisë dhe fyerje e të gjithë luftëtarëve të udhëhequr nga Sylejman Selimi si komandant i tyre".Gashi ka thënë se do të ankimojë vendimin dhe do të shfrytëzojnë çdo mundësi juridike, që kjo padrejtësi të marrë fund. Selimi dhe 4 ish-luftetaret e tjere te UÇK-së u vune ne pranga me 23 maj nen akuzen e krimeve te luftes kundër popullsisë civile të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc, të komunës Skenderaj.