Leonarda Dibrani refuzon të kthehet vetëm në Francë

Vajza pesëmbëdhjetëvjeçare e përkatësisë rome e dëbuar ditë më parë nga Franca në Kosovë, Leonarda Dibrani, refuzon ofertën e presidentit francez Francois Hollande që të kthehet sërish në Francë, por pa familjen e saj.Presidenti Hollande tha të shtunën që “nëse bën kërkesë dhe nëse do të vazhdojë studimet e saj, ajo mund të kthehet, por vetëm ajo”.Deklarata e presidentit Hollandë pasoi reagimet e ashpra që nxiti arrestimi i saj nga policia francezë ne prani të shokëve të saj të shkollës për t’u dëbuar me forcë në Kosovë.Mënyra e dëbimit nxiti kritika të ashpra dhe protesta në Francë, ndonëse autoritetet thanë se dëbimi ishte veprim i ligjshëm meqë familjes Dibrani i ishte refuzuar kërkesa për strehim në Francë.Ajo refuzoi të shtunën mundësinë që të kthehet në Francë pa familjen e saj.Familja Dibrani kishte jetuar për më shumë se katër vjet në Francë, para se të dëbohej më herët gjatë këtij muaji.I ati i Leonardës, Reshat Dibrani, u tha agjencive të lajmeve se në fakt vetëm ai është i lindur në Kosovë, prej nga ishte larguar në Itali, ku sipas tij janë lindur fëmijët e tij. Por, prej andej kishin ikur në Francë duke pretenduar se të gjithë janë nga Kosova, meqë ishin të bindur se në këtë mënyrë do të fitonin strehim.