Parada e parë gay në Podgoricë, masa të forta sigurie
Nën masa të rrepta sigurie po zhvillohet këtë të dielë parada e parë gay në kryeqytetin e Malit të Zi, në Podgoricë. Parada do të zhvillohet nën moton “Mali i Zi krenar”, bëri me dije një prej organizatorëve të aktivietit. Autoritetet kanë marrë masa të rrepta për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit, të kërcënuar nga grupet e ekstremistëve.Përveç policisë së shtetit që ka vendosur në kryeqytet 2 mijë efektivë, e përditshmja “Vijesti” bën me dije se për garantimin e rendit do të përfshihen edhe njësitë anti-terror dhe forcat speciale.“Policia do të veprojë në bazë të juridiksionit të saj për të garantuar zhvillimin e paqtë të paradës homoseksuale, e cila duhet konsideruar si një aktivitet shumë i rëndësishëm në fushëm e tolerancës, gjatë të cilit shumë aktorë të jetës sociale do të japin mesazhe pozitive”, deklaroi ministri i Brendshëm, Rasko Konjeviç.Qeveria e kryeministrit Millo Gjukanoviç, e cila punon për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ka mbështetur mbajtjen e paradës në një mjedis të sigurt.Parada e parë gay në Malin e Zi u realizua në datën 24 korrik në qytetin e Budvës, por përfundoi me përleshje që lanë disa të plagosur midis forcave të policisë dhe elementëve homofobë që sulmuan paradën.Së fundmi, kryetari i shoqatës LGBT në Malin e Zi, Zdravko Cimbaljeviç, paraqiti dorëheqjen nga pozicioni i tij, duke argumentuar vendimin me kërcënimet e përditshme që i bëheshin jetës së tij.Në muajin shtator, Serbia ka anuluar Paradën e Homoseksualëve për të tretin vit me radhë, për shkak të kërcënimeve për dhunë.