PS apel Kryeministrit: S’tërhiqemi nga Fieri, zhblloko integrimin
Partia Socialiste përmes deputetit të saj, Besnik Baraj i ka bërë një tjetër apel Kryeministrit Berisha që të zhbllokojë procesin e integrimit dhe të zbatojë vendimet e formës së prerë të Gjykatës për çështjen e Fierit. Në një deklaratë për mediat Baraj theksoi se socialistët jemi të vetëdijshëm se për t’u integruar nuk mjafton vetëm votimi i ligjeve, por kërkohet me ngulm zbatimi i tyre.“Sot shqiptarët përballen me dy filozofi të ndryshme në lidhje me integrimin. Nga njëra anë është filozofia e Kryeministrit, i cili përfundimisht nuk e do integrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë. Sali Berisha ka hyrë në vitin e tetë të dështimit të integrimit europian. Qeveria e Sali Berishës ka marrë plot dy herë refuzimin e Brukselit pasi deri më sot kjo qeveri nuk ka ditur të përmbushë asnjë nga kushtet e vendosura nga Parlamenti Europian. Ndërkohë sot, gjithmonë e më shumë, po ravijëzohet qëndrimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian me qëndrimin e Sekretares së Shtetit Amerikan, e cila theksoi se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe vendosja e standardeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme duhet të jenë prioritet i qeverisë shqiptare, edhe në raport me rrugën drejt integrimit europian. Por Sali Berisha, pasi ka dështuar dukshëm me secilën prej këtyre prioriteteve, nuk bën asgjë, por vetëm shan, shpif dhe fajëson opozitën. A thua se në këto 8 vjet ka qenë opozita ajo që ka qeverisur vendin. Qasja jonë është ndryshe. Ne duam integrimin e vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne jemi të vetëdijshëm se integrimi kalon nga plotësimi i kushteve të vendosura nga Brukseli, kushte të cilat përmirësojnë realisht jetën e shqiptarëve në vend. Prandaj ne kemi këmbëngulur plot 8 vjet për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj ne qendër të programit tonë Për një Rilindje Shqiptare është punësimi, taksimi i ndershëm, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne socialistët jemi të vetëdijshëm se për t’u integruar nuk mjafton vetëm votimi i ligjeve, por kërkohet me ngulm zbatimi i tyre. Dhe e vërteta është se qeveria e Sali Berishës nuk di ta zbatojë ligjin. Njësoj siç bën me çështjen e Fierit, kur pavarësisht se ka vendime gjyqësore të formës së prerë, Sali Berisha i shkel vendimet dhe kërkon të dalë mbi gjykatat” tha Baraj.Pikërisht për këtë arsye tha Baraj, Partia Socialiste nuk tërhiqet dhe nuk ka për t’u tërhequr nga çështja e Fierit. “Ne nuk kërkojmë asnjë favor nga Sali Berisha. Ne kërkojmë vetëm të drejtën, atë të drejtë që çdo gjykatë e ka shpallur përmes vendimesh të formës së prerë. Prandaj ne jemi të bindur se çështja e Fierit zgjidhet vetëm me vullnet politik, pasi çështja e Fierit nga ana gjyqësore është një çështje e zgjidhur. Ne i kemi kërkuar Sali Berishës të ballafaqohet në tryezë me opozitën për çështjen e Fierit, pasi që ligji të zbatohet dhe çështja e Fierit të zgjidhet mjafton vetëm që Sali Berisha të pranojë vendimet e gjykatave” theksoi ai.Deputeti i PS tha se vendet anëtare të Bashkimit Europian po e thonë çdo ditë e më qartë se kushtet që vendi ynë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian janë zgjedhjet e lira e të ndershme, zbatueshmëria e ligjit, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit dhe zhdukja e kulturës së pazbatueshmërisë.“Ne jemi të bindur se me zgjidhjen e çështjes së Fierit, politika do i dërgonte Brukselit edhe një mesazh të rëndësishëm, se më në fund në Shqipëri ligji ka filluar të zbatohet dhe institucionet e pavarura kanë filluar të respektohen”përfundoi Baraj.