Imami vlerëson dhe dekoron 38 figura të shquara të luftës për liri dhe pavarësi
Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe krijimit të FA, në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua ceremonia për dekorimin dhe shpalljen “Dëshmor i Atdheut” nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, të personaliteteve me kontribut të shquar ushtarak dhe luftëtarëve popullor që kanë dhënë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e atdheut.Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Mbrojtjes Imami, theksoi se, për të gjithë ne kjo është është një ditë e bukur, e veçantë, emocionante dhe nuk ka kohë më të përshtatshme për të kujtuar sakrificat, kontributet, luftën e pashterur të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe për të qenë një vend mes vendeve të tjera, një komb mes kombeve të tjera në Europë. Ne jemi pasardhës të atyre burrave që ishin të gatshëm për sakrificat më sublime dhe për këtë është dhe mirënjohja e shtetit shqiptarë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave tona të Armatosura.Ndërsa ministri i FSK-së, z. Agim Çeku, pasi ka falenderuar të pranishmit në ceremoni, si dhe në veçanti ministrin e Mbrojtjes, z. Arben Imami për organizimin e këtij aktiviteti shumë domethënës, u shpreh: “Gjatë rrugës kur po vija në Shqipëri po mendoja për këtë ditë, po mendoja se sa i madh është nderi dhe lavdia e këtyre burrave të mëdhenj të Kosovës dhe viseve të banuara prej shqiptarëve, që sot me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë të nderohen me dekoratën dhe statusin e “Dëshmorit të Atdheut”. Ky akt ka një domethënie të jashtëzakonshme, përveç kujtimit të heronjëve dhe dëshmorëve, për familjet e tyre, për pasardhësit dhe për vetë popullin e Kosovës”.Më tej ceremonia ka vijuar me dhënien nga ministri i Mbrojtjes Imami të statusit “Dëshmor i Atdheut” 26 luftëtarëve që kanë dhënë jetën e tyre në luftën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, si dhe u ka akorduar medaljen për “Shërbime të Shquara” 12 personaliteteve të shquara të kombit tonë. Personalitetet e vlerësuara nga Ministria e Mbrojtjes në këtë 100-vjetor të Pavarësisë janë nga Kosova, Shqipëria dhe nga troje të tjera shqiptare.