SHBA,Yellen kandidohet zyrtarisht nga Obama

Presidenti Barack Obama emëroi Janet Yellen për të kryesuar Bankën Qendrore amerikane. Nëse merr konfirmimin e Senatit, ajo do të bëhet e para grua që kryeson Rezervën Federale të ekonomisë më të madhe të botës.Zonja Yellen është aktualisht numri dy i Bankës Qendrore dhe shumë ekonomistë thonë se ka gjasa që ajo të vazhdojë përpjekjet e këtij institucioni për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të ulur papunësinë duke mbajtur të ulta normat e interesit.Presidenti Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë në kulmin e krizës më të rëndë në disa dekada dhe anketat tregojnë se ekonomia mbetet një ndër temat më shqetësuese për votuesit amerikanë.Papunësia është përmirësuar por me ritme të ngadalta, duke e vënë para një sfide të vështirë zonjën Yellen, ish-pedagoge në Universitetin e Berkleyt dhe zyrtare me karrierë të gjatë në Bankën Qendrore.Zonja Yellen wshtw shprehur se e kupton gjendjen e vështirë të miliona të papunëve në vend."Megjithëse kemi bërë përparim, kemi më shumë rrugë përpara. Mandati i Rezervës Federale është t’i shërbejë popullit amerikan. Një numër shumë i madh amerikanësh ende nuk mund të gjejnë punë dhe shqetësohen si do të përballojnë faturat dhe nevojat e familjes”.Zonja Yellen do të zëvendësonte Ben Bernanke, të cilit i mbaron në janar mandati i dytë në krye të Bankës Qendrore. Presidenti Obama vlerësoi udhëheqjen e Bernanke, aftësitë e tij, kurajon në përdorimin e taktikave të paprovuara më parë për t’iu përgjigjur problemeve ekonomike.Zonja Yellen pritet të përfaqësojë vazhdimësi në Bankën Qendrore kur është fjala tek politikat, por ajo gjithashtu do të jetë e para grua në këtë post.Analistët thonë se zonja Yellen ka të ngjarë të marrë konfirmimin e Senatit me votat e Partisë Demokrate dhe disa republikanëve të moderuar.