Presidenti Obama: Negociata pa kërcënime

Presidenti amerikan Barak Obama thotë  se ai është i hapur për bisedime rreth buxhetit dhe për arritjen e një marrëveshje afatshkurtër për rritjen e tavanit të borxhit. Por ai tha se nuk do të bisedojë përsa kohë që republikanët mbajnë mbi popullin amerikanë kërcënimin e mbylljes së qeverisë.Presidenti Obama foli para gazetarëve pas një bisede telefonike që zhvilloi me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, republikanin John Boehner për t'i përsëritur një ofertë për të negociuar, por jo përsa kohë që mbyllja e pjesshme e qeverisë vazhdon dhe nën kërcënimin për një dështim financiar.Ai tha se i kupton vështirësitë e bashkëpunimit në një qeveri të ndarë dhe mbetet i gatshëm për të punuar mbi një varg çështjesh dhe të negociojë për çdo çështje. Por ai tha se nuk do të vazhdonte një model në të cilën ligjvënësit i mbajnë "peng" amerikanët dhe ekonominë në shkëmbim të disa kërkesave të tyre specifike."Ne nuk do të paguajmë haraç në shkëmbim të përmbushjes së detyrimeve financiare të Amerikës. Kjo është diçka që duhet të jetë e panegociueshme, dhe të gjithë duhet të bien dakord për këtë. Të gjithë duhet të thonë se një nga gjërat më të vlefshme që ne kemi është vlera kreditore e Amerikës. Kjo nuk është diçka me të cilën mund të luhet. "Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner sërish  përsëriti apelin e tij për negociata mbi kërkesat republikane të cilat përfshijnë eliminimin ose shtyerjen e disa pjesëve kryesore të ligjit të sigurimeve shëndetësore të presidentit Obama, i cili hyri në fuqi më 1 tetor.Ndërkohë që afati i 17 tetorit po afrohet dhe Kongresi duhet të votojë për rritjen e tavanit të borxhit, ngërçi është duke nxitur spekulime të reja se ka ardhur koha për zhvillimin e bisedimeve për një "Marrëveshje të Madhe" për deficitin.