Thaçi heq taksën doganore për shqiptarët e Preshevës
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e sotëm që pati me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, diskutoi për sfidat me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë të kësaj ane dhe për mundësitë e tejkalimit të tyre në shërbim të lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve të këtij rajoni.Kryeministri Thaçi theksoi përkushtimin tij dhe të Qeverisë së Republikës në mbështetje të afirmimit të të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.“Unë dëgjova me vëmendje preokupimet, shqetësimet por edhe përkushtimet e tyre për afirmimin e të drejtave kombëtare dhe demokratike të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, aspirata këto të drejta, të mbështetura gjithmonë nga unë si kryeministër i vendit dhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Janë inkurajuese edhe përkushtimet dhe vendosmëria e lidershipit shqiptar në Preshevë”, deklaroi Thaçi.Kryeministri i Kosovës tha se, shpreson që në një të ardhme shumë të afërt do të kenë takime edhe në nivel të kryeministrit, për të shqyrtuar të gjithë mundësitë për institucionalizimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, të drejta këto që sipas tij duhet të jenë në përputhshmëri me standardet më të larta ndërkombëtare.“Duke filluar nga hapja e Universitetit në Preshevë, për çka Qeveria e Kosovës do të mbështetë plotësisht me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet. Unë gjithmonë do ta respektoj vullnetin e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, për të ardhmen e tyre demokratike, për të drejtat e tyre kombëtare. Në këtë kuadër, në takimin që zhvilluam sonte, unë kam vendosur që për t’ua lehtësuar qarkullimin qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, në drejtim të Kosovës të heqim plotësisht taksën për veturat, për lëvizje të lirë, në mënyrë që të krijojmë kushte dhe rrethana shumë më të lehta për lëvizje. Nga 21 tetori i këtij viti do të hiqen plotësisht taksat për veturat që hyjnë në Kosovë apo dalin dhe këto obligime do t’i merr Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjithçka që do varet nga Qeveria e Kosovës, ne do t’i realizojmë ato objektiva dhe synime të lidershipit të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, shtoi Thaçi.