Nishani, Bonino: Shqipëria do të fitojë statusin bazuar në arritje dhe meritë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani priti sot në një takim Ministren e Punëve të Jashtme të Italisë, Emma Bonino, e cila ndodhet në vendin tonë për një vizitë zyrtare.
Presidenti Nishani dhe Ministrja Bonino vlerësuan raportet mes vendeve dhe popujve tanë, si të veçanta, bazuar në traditë dhe të forcuara përmes bashkëpunimit të ngushtë gjatë dekadave të fundit, në momente të vështira dhe të suksesshme për Shqipërinë dhe shtuan se këto raporte do të mbeten të tilla edhe kur dy vendet të jenë në Bashkimin Evropian.Në vijim, Presidenti Nishani nënvizoi se sukseset e Shqipërisë në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë dhe ecuria në procesin e integrimin evropian janë frute të përpjekjeve të popullit dhe institucioneve shqiptare, por që do të ishte e vështirë të realizoheshin pa mbështetjen dhe ndihmesën e partnerëve tanë, ndërmjet të cilëve, Italia ka pasur dhe duhet të ketë, në të ardhmen një vend dhe rol të dukshëm.
Presidenti garantoi bashkëbiseduesen për vazhdueshmërinë e zhvillimit të reformave, vendosmërinë e Shqipërisë për të kontribuar edhe në të ardhmen për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon, si edhe shprehu besimin se vendi do të fitojë statusin e kandidatit në Bashkimin Europian, bazuar në arritje dhe meritë.Në reagimin e saj, Ministrja Bonino, pasi përgëzoi Shqipërinë për arritjet e deritanishme, përcolli përqasjen e Italisë për të vazhduar përkrahjen ndaj Shqipërisë në rrugëtimin evropian, vullnetin për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe synimin që gjatë vitit 2014, i cili do të jetë viti i Mesdheut, të drejtohet më shumë vëmendja e evropianëve tek mundësitë dhe sfidat që paraqet ky Rajon, i cili duhet të jetë në prioritetet e Bashkimit Evropian.