Hoxha: “13 mijë m² sipërfaqe e zënë padrejtësisht do t’u kthehen qytetarëve

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik ka vijuar prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Sot, Inspektoriati ka ndërhyrë me prishjen e 6 objekteve, pika inertesh dhe 5 lavazheve pa leje në rrugën “Qemal Stafa”, në njësinë bashkiake nr.4. Me prishjen e këtyre objekteve do të bëhet e mundur hapja e 13 mijë m² hapësirë, e cila do të vihet në funksion të qytetarëve të kësaj zone.Drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik, Florenc Hoxha u shpreh:“Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës po vepron sot në zbatim të ligjit dhe në përputhje të plotë me të, duke goditur këto lavazhe dhe pika inerte të ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Kjo, për t’i dhënë përgjigje ankesave të banorëve, të cilët në mënyrë të vazhdueshme kanë drejtuar ankesa pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës, pasi këto pika inertesh dhe lavazhesh ishin kthyer në një problem shqetësues për ta. Më pas, ne do t’i hapim rrugë, kthimit të këtyre hapësirave, këtyre qytetarëve, në formën e hapësirave të gjelbra dhe ambienteve çlodhëse dhe dëfryese për fëmijët e tyre”- tha Hoxha.Pas përfundimit të prishjes, Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë për rehabilitimin e kësaj hapësire e cila do t’u kthehet qytetarëve.