Nishani, Davutoğlu: Turqia ka qenë dhe mbetet aleat i rëndësishëm i Shqipërisë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm të Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoğlu.Në fjalën e mirsëeardhjes, Kreu i Shtetit shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen në emër të popullit shqiptar dhe Tijin personal për ndihmën dhe mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vite Shqipërisë. Në fjalën e Tij, Presidenti Nishani u ndal në disa nga arritjet kryesore të Shqipërisë duke vënë theksin se këto arritje nuk do të ishin të mundura pa ndihmën e miqve të Shqipërisë, ku padyshim kontributi i Turqisë është i veçantë.Gjithashtu, Kreu i Shtetit u ndal në mirënjohjen ndaj ndihmës dhe mbështetjes që Turqia i ka dhënë shtetit të Kosovës që nga procesi i pavarësimit e deri në njohjen që shumë shtete i kanë bërë Kosovës, duke theksuar se pavarësimi i këtij shteti të ri provoi të ishte i suksesshëm duke bindur dhe më skeptikët e këtij procesi.Presidenti Nishani shprehu bindjen se Shqipëria do të vijojë të jetë një faktor stabiliteti në rajon, me fokus bashkëpunimin me të gjitha vendet e rajonit në funksion të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, paqes dhe procesit të përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit u shpreh, ndër të tjera, se “Turqia ka qenë dhe mbetet një aleat i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon dhe më gjerë”.Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë politik, ekonomik, kulturor, ushtarak dhe në shumë fusha të tjera, duke nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera, në bazë të të cilave qëndrojnë miqësia dhe lidhjet tradicionale midis dy vendeve tona.Në këtë kuadër, Presidenti Nishani nënvizoi dëshirën për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve tona, prezencën e sa më shumë bizneseve turke në Shqipëri, veçanërisht në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e turizmit.