Borxhi ndaj biznesit, Mima: S’kemi lënë asnjë faturë ekstra, janë të planifikuara

Ndërsa qeveria e re ka hedhur akuza ndaj qeverisë së larguar “Berisha”se i ka trashëguar një faturë ekstra të moslikujdimeve ndaj biznesit, kjo hidhet poshtë nga PD. Ish-Ministri i METE, Florion Mima, shprehet se qeveria e djathë nuk ka lënë asnjë faturë të bartur ndër vite, me përjashtim të kontratave afatgjata, ku mundet që punimet e vitit 2014 të jenë avancuar për 2013 dhe si rrjedhojë përfaqësuesit e këtyre firmave duhet të presin miratimin e buxhetit 2014, pasi për këtë vit nuk ka gjë të planifikuar.“Lidhur me atë që Rama e pretendon borxh të qeverisë ndaj biznesit, rreth 600 milion dollarë. Lind pyetja këto shpenzime janë buxhetuar? Ka dy mundësi. Po janë buxhetuar, dhe do fillojnë të likujdohen sëbashku me interesat e vonuara. Një shifër e tillë është e përafërt me investimet e planin vjetor të shpenzimeve për investime publike. Të gjitha këto para nëse nëse nuk janë likujduar janë planifikuar, nëse nuk janë planifikuar dhe ka vonesa ligji detyron shtetin që në momentin që ti likujdojë do ta bëjë sëbashku me interesat e vonuara. Nuk e kuptoj sesi mundet që një qeveri e re që gjen vendin në një situatë delikate ekonomie për njëmijë e një arsye të mund të induktojë në treg të tilla ide që vetëm rrisin pesimizmin e tregut. Si mund të thuash jemi në një ekonomi në krizë apo që shteti mund të shembet? Nëse këto fatuara janë të vonuara, por të buxhetuara nuk do ketë asnjë ndikim në defiçit. Mund të ketë diçka të tillë, për kontratat afatgjata, marrim segmenet rrugore që vazhdojnë për tre-katër vite, mundet që punimet e vitit 2014 të jenë avancuar për 2013. Nëse kjo ka ndodhur, përfaqësuesit e këtyre firmave duhet të presin detyrimisht vitin 2014, pasi për këto punime nuk ka para të parashikuara për 2013. Për vitin 2012, kam bindjen që ajo që dikur FMN vlerësonte se 0.7% e xhidipisë është totali i faturave të palikujduara nga shteti, i gjithë ky total është akomoduar me marrjen e kundrashumës nga privatizimi i 4 HEC-ve, ky është konfirmimi që na ka ardhur edhe nga MF asokohe. Fatura të viteve të mëparshme nuk kemi, mundet të jenë ato të 2014 që duhet të presim deri në miratimin e buxhetit të 2014” tha ai.Mima është shprehur kundër vendimit të qeverisë për anulimin e ligjit të importit të mbetjeve, pasi përmes tij tha ai, rrezikon ta shtojë automatikisht stokun e të papunësve me 50 000 persona.“Ne kemi debatuar me kolegët tanë socilaistë dhe populli besoi më shumë modelin e tyre. Sot kemi për detyrë ti themi përsëri popullit keni kujdes se programi që ju votuat do të ketë pasoja të mëposhtme. Nga një shtet i vogël sot kemi një model me 5 Ministri më shumë. Z. Rama ndër aktet e para që ka marrë, ishte anullimi i ligjit për importin e mbetjeve. Me anullimin e tij ka rrezik ta shtojë stokun e të papunëve që ne kemi thënë është 142.000 të papunë, Rama thotë 1 milion, ka rrezik ta shtojë automatikisht në 50 000 persona. Ne besojmë se gjithçka është nisur në rrugën e gabuar dhe gjithçka do rëndojë mbi shpatullat e qytetarëve shqiptarë” u shpreha Mima.Në cilësinë e ish-Ministrit të METE dhe pse për një kohë të shkurtër, Mima adreson kritika të forta ndaj qeverisë edhe për anulimin e konçensioneve, për të cilat thekson me bindje se janë ndjekur të gjithë hapat ligjorë.“Një pjesë e tyre janë nënshkruar nga unë dhe vartësit e mi, gjithçka ka ndjekur proçedurat ligjore. Ky është një proçes jashtëzakonisht i gjatë dhe kompleks, ishte një goditje për qindra dhe mijëra vendeve të reja të punës. Kam parë një tërheqje dje në një deklaratë të Ramës, i cili tha se po i vlerësojmë, i njohim që janë procedura të gjata dhe ne raste të tilla ne nuk do ndërhyjmë. Besoj që nëse vepron kështu ëhstë në rrugën e duhur” tha ai.Duke ju referuar deklaratës së Kryeministrit Rama se ka trashëguar një arkë bosh nga kabineti “Berisha”, Mima tha se duhet të shqetësohemi nëse arka ka gjendje. Sipas Mimës diferenca në mosrealizimin në të ardhura dhe mosrealizimin në shpenzime eshte 6-7 miliardë lekë, ndërsa efekti është i papërfillshëm, zero.“Konstatimi i Ramës që arka është bosh është ky një mëkat, gabim, krim, apo kështu duhet të jetë? Cdo njeri që është marrë me financat publike me një vend me tranzicion dhe me defiçit si Shqipëria, arka në çdo sekondë të 365 ditë të vitit duhet të jetë bosh. Arka smund të jetë në asnjë second me një qindarkë gjëndje, nëse kemi 1 qindarkë tregon që kemi problem. Nëse është bosh kjo tregon se punët po ecin sipas parashikimit. Në një vend me deficit nuk ka kuptim të thuash që erdha sot në pushtet dhe arka është bosh. Pyetja që pason është kjo, sa bosh duhet të jetë? Qeveria është një trupë që autorizohet nga ligjvënësi shqiptar. Nga periudha 1 janar -31 gusht 2013 ka një mosrealizim në të ardhurat e parashikuara prej 16 miliardë lekë. Nëse i heqim 3 miliardë lekë që janë të ardhurat e pushtetit lokal dhe donacionet, të cilat nëse huk materializohen në të ardhura efektin e kanë zero në deficit dhe borxhin publik, nga pjesa e të ardhurave kemi mosrealizim prej 13 miliardë lekësh. Kalojmë tek shpenzimet, janë rreth 7 miliardë lekë më pak se planifikimi. Pjesën më të madhe e zënë kursimet nga interesate borxhit publik, qeveria ka marrë borxh me interes më të vogël sesa ishte parashikuar. Diferenca në mosrealizim në të ardhura dhe mosrealizim në shpenzime na çon në 6-7 miliardë lekë në total mosrealizime. Efekti është i papërfillshëm, zero” theksoi më tej Mima.Modeli aktual i ekonomisë është një ekonomi e zgjedhur nga individi dhe biznesi shqiptar, një model që në 23 vite është modeli i suksesit të Shqipërisë , nënvizon Mima. Ndërkaq ai përcjell dhe disa këshilla për qeverinë e re.“Këtë model ekonomik që ka sot Shqipëria nuk e ka zgjedhur Sali Berisha as Fatos Nano, por individi shqiptar dhe biznesi shqiptar, është modeli i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ky model ka njëmijë e një nuanca. Nëse Rama do të shohë një degë të ekonomisë të performojë më mirë duhet të realizojë politika të tilla për ta mbështetur atë degë. Ky është një model që në 23 vite është modeli i suksesit të Shqipërisë. Të vimë tek pjesa e borxhit. Cfarë duhet të bëjë një qeveri e përgjegjshme ditën e parë të qeverisë. Pavarësisht se cfarë ka ndodhur në 8 muajt e parë të këtij viti Z.Rama dhe Z.Cani kanë rastin të provojnë se dinë të administrojnë më mirë se paraardhësit e tyre. Sot kemi dy drejtoresha të reja në dy entet publike që administrojnë të hyrat publike, tatimet dhe doganat. Kanë fatin e madh që në datën 31 tetor të thonë nga dita e uljes në karrige deri në datën 31 tetor duke e proporcionuar dhe krahasuar me periudhën kur ka qeverisur Berisha do të mbledhin një lek më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë do tu them bravo ju qoftë. Por edhe nëse mbledhin një lek më pak nuk është katastrofa. Por nëse të hyrat janë dukshëm më poshtë se qeverisja paraardhëse këtu ka një pikëpyetje. Ti po nxin gjithçka, po krijon këtë mjegullnajë që ekonomia nuk funksionon, në një kohë që agjencitë e reitingut të kredive thonë që jo, është me një prespektivë stabël. FMN dhe BB thotë se Shqipëria është në terren pozitiv. Megjitahtë duhet të presim disa muaj që të shohim nëse kjo qeveri ka ardhur vërtet për të bërë punë të mira apo po u shërben lobeve të fuqishme ekonomike pranë saj, që me sa duket ndikimi ka filluar që në ditët e para” përfundoi deputeti demokrat Florion Mima.