Thaçi i përcjell shqetësimin Metës: Shqiptarët në Maqedoni, në varfëri të plotë

Shqiptarët në Maqedoni vuajnë nga varfëria dhe mungesa e investimeve. Këtë shqetësim kryesor ka ndarë me kryeparlamentarin Ilir Meta, kreu i Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni, Menduh Thaçi, gjatë takimit që pati me të.Në një deklaratë për mediat, Thaçi kërkoi më shumë mbështetje nga institucionet e Shqipërisë.“Meta ka njohuri për problemet e shqiptarëve në Maqedoni. E informova Metën për punën që bën PDSH-ja për të drejtat e shqiptarëve. E informova për situatën e shqiptarëve në Maqedoni dhe një problem i madh është varfëria e shqiptarëve për prespektivën e munguar dhe mungojnë investimet në rajonet që banohen nga shqiptarët. Këta suksese në Shqipëri janë edhe suksese të shqiptarëve që nuk jetojnë këtu”, tha gjatë fjalës së tij, kreu i PDSH-së.Ndërkaq Zoti. Meta tha se “shqiptarët kudo ku jetojnë janë një faktor i rëndësishëm i stabiliteti të vendit ku jetojnë dhe rajonit”.Gjatë takimit mes tyre, është diskutuar edhe për prespektivën e Maqedonisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe në NATO, ku kryeparlamentari Meta tha se “ne dëshirojmë më të mirën për Maqedoninë dhe dëshirojmë që shqiptarët të ruajnë rolin e tyre dhe të punojnë për integrimin e maqedonisë në BE dhe NATO”.Ndërkohë i pyetur nga gazetarët lidhur me ligjin për nënpunësin civil, Meta garantoi se opozita do ketë të gjitha hapësirat dhe mundësitë të thotë fjalën e saj dhe të japë mendimin e saj si në komisone ashtu dhe parlament.

 "Shpreh besimin e tij se opozita do të vijojë të kontribuojë për reformat dhe integrimin e vendit, pavarësisht faktit që kundërshton aktin normativ të qeverisë për shtyrjen e ligjit për nëpunësin civil" theksoi ai.