Varshavë, Vokshi në takimin e Grave të PPE: Rama shkeli konsensus

“Mazhoranca qeverisëse në Tiranë po shantazhon administratën me ligjin e nëpunësit civil. Më të rrezikuara nga fshesa politike e Ramës janë gratë, të cilat përbëjnë dhe numrin më të madh të të punësuarëve në administratë , rreth 65 % të saj.”Kështu deklaroi në Varshavë, Albana Vokshi, Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, njëkohësisht deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë, gjatë takimit me Bordin e Përgjithshëm të Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane që drejtohet nga europarlamentarja Doris Pack.Kryetarja e LDGSH-së informoi europarlamentaret për vendimet antikushtetuese të qeverisë shqiptare lidhur me shtyrjen e afatit për hyrjen në fuqi të ligjit për “nëpunësin civil”, miratuar me shumicë të cilësuar në legjislaturen e kaluar, si pjesë e paketës ligjore, kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.Deputeja Vokshi ndau me përfaqësueset e EPP-Women shqetësimin e Partisë Demokratike për frymën konfliktuale dhe provokimet që po bën mazhoranca e re në Shqipëri, ndaj opozitës ,institucioneve të pavarura dhe biznesit . Anullimet antikushtetuese të koncensioneve janë një kërcënim i hapur për qëndrueshmërinë ekonomike- tha Vokshi.Europarlamentaret, përfaqësuese të Partive Popullore Europiane shprehën shqetësim për këto zhvillime në Shqipëri dhe mirëpritën qëndrimet konstruktive të lidershipit të Partisë Demokratike, të drejtuar nga z. Lulzim Basha, për të ndërtuar në vend modelin e një opozite bashkëpunuese.Takimi i Bordit të Përgjithshëm të Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane pati në fokus politikat që stimulojnë nxitjen e sipërmarrjes së grave. Në një rezolutë të miratuar në takimin e Varshavës kërkohet që Partitë Popullore Europiane dhe forumet e tyre të grave të nxisin qeveritë ne vendet respektive për të stimuluar politikat për zhvillimin e bizneseve të drejtuara nga gratë, për të fuqizuar statusin e saj në ekonomi.Forumi i Grave të Partive Popullore Europiane, është formacioni politik më i madh i grave në Evropë. Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë, e kryesuar nga znj. Albana Vokshi, është anëtare me të drejta të plota në këtë forum.