“Agimi i Artë” në gjykatë, sharje dhe fyerje kundër shtetit helen.Vetëdorëzohet dhe Papas

Lideri i partisë neonaziste “Agimi i Artë”, Nikos Mihaloliakos dhe katër deputetë të tjerë, të shoqëruar nga pjesëtarë të shërbimit antiterror, të armatosur deri në dhëmbë janë derguar në gjykatën e Athinës ."Rroftë Agimi i Artë!", bëriti Mihalolakos gjatë transportimit të tij, që u krye në kushte të rrepta sigurie."Nuk na përkul asgjë. Rroftë Greqia!", thirri deputeti Ilias Kasidiaris, ndërsa deputeti tjetër, Nikos Mihas, bërtiti: "Jemi luftëtarë krenarë!"Bashkëshortja e kreut të Agimit të Artë dhe e bija, si dhe avokatët e tyre, nisën të duartrokasin për të arrestuarit. Në gjykatë ndodhet një ekip Prokurorësh, të cilët po studiojnë provat që janë përcjellë nga organi hetimor, me qëllim që të komunikojnë akuzat.Raporti i Prokurorisë, mbi të cilin u mbështetën akuzat, është relativisht lakonik, vetëm 9 faqe. Mirëpo përmbajtja e bisedave telefonike të përgjuara hedh dritë mbi prova, të cilat kopsitin akuzën kryesore, atë për krijim organizate kriminale.

Provat kanë të bëjnë me dhjetë raste vrasjesh apo vrasjesh të mbetura në tentativë, mes të cilave edhe vrasja e këngëtarit Pavlos Fyssas, më 18 shtator 2013, që shërbeu si pikënisje për gjithë zhvillimet e rrufeshme.

Sipas raportit të Prokurorisë, Agimi i Artë ka kryer edhe vepra të tjera penale, si pastrim parash të pista apo mitëmarrje. 5 deputetët do të qëndrojnë në paraburgim deri të martën, kur do të dëshmojnë para prokurorit, ndërsa 15 të arrestuarit e tjerë do të dëshmojnë të mërkurën.

Ndërkohë është vetëdorëzuar në policinë e Atikës, në Athinë deputeti i Agimit të Artë, Kristos Papas, i cili është me origjinë shqiptare. Ndaj tij ditën e djeshme ishte lëshuar një urdhër-arresti nga ana e prokurorisë. Papas është vetëdorëzuar në orën 12.00 me orën lokale në Shqipëri.

Kristos Papas njihet në Greqi edhe si “kamzhiku i artë”. Papas ka marrë një taksi ku ka zbritur përpara policisë në Athinë duke u dorëzuar ai ka thirrur, “Jam i lirë. Drejtësia do të triumfoj, rroftë Hrisi Avgi ( Agimi i Artë)”. Në momentin që ka hyrë në ambientet e komisariatit të policisë, ai ka përshëndetur si Hitleri.

 Është hera e parë që në Greqi arrestohen një kryetar partie dhe deputetë të Parlamentit që prej vitit 1974.

Shumica e të arrestuarve pasi të gjykohen do të marrin dënime më shumë se 20 vjet burg, ndërsa autoritetet theksojnë se nuk ekziston asnjë mundësi për destabilizim politik të situatës në vend, duke përjashtuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme si rrjedhojë e mungeses së deputetëve të Agimit të Artë.