Meta pret Ambasadorin slloven: Sllovenia ka rëndësi të madhe për Shqipërinë

Kryetari i KuvenditIlir Meta priti sot Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Bojan Bertoncelj.Ambasadori Bertoncelj i përcolli z. Meta urimet më të ngrohta zyrtare në emër të Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë z. Janko Veber dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Sllovenisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.Në këtë drejtim, Ambasadori Bertoncelj vuri në dukje se Sllovenia e vlerëson rolin e veçantë që mund të luajë Kuvendi i Shqipërisë në mbarëvajtjen e një klime politike më pozitive në Shqipëri, e cila do t’i shërbente ecurisë më të shpejtë të integrimit evropian të vendit.Kryetari i Kuvendit, z. Meta e falënderoi Ambasadorin Bertoncelj për mbështetjen e fuqishme që Sllovenia vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe theksoi vullnetin e tij për fokusimin e punës së Kuvendit në rritjen e cilësisë dhe zbatimit të legjislacionit dhe kryesisht në rritjen e bashkëpunimit mes palëve politike.Kryetari i Kuvendit theksoi në përfundim se Sllovenia ka rëndësi të madhe për Shqipërinë, jo vetëm si vend i rajonit, por edhe si vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe në këtë drejtim ‘vullneti im është të shtoj marrëdhëniet dhe shkëmbimet parlamentare në të gjitha nivelet mes dy vendeve’ – u shpreh Meta.