Ëngjëll Agaçi, sekretari i ri i përgjithshëm i Kryeministrisë
Ëngjëll Agaçi do të jetë sekretari i ri i përgjithshëm i Kryeministrisë. Lajmi është konfirmuar nga Kryeministri Edi Rama në faqen e tij zyrtare në fb, ku vlerëson se historia e Ëngjëll Agaçit është një histori suksesi nga ato në rrugën e emigracionit.“Historia e Ëngjëll Agaçit është një histori suksesi nga ato në rrugën e emigracionit, ku djem e vajza të dalë nga shtëpitë e varfra shqiptare të viteve ‘90 u nisën drejt ëndrrash në dukje të pamundura dhe i bënë ato të mundura. Me forcën e madhe të ambicies, me vullnetin e fortë të njeriut në një betejë për të ardhmen, me talentin e me përulësinë e kujt s’ka asgjë tjetër veç fuqive të veta në tokë të huaj, madje përballë paragjykimesh tejet penguese, shumë prej tyre ia dolën. Dhe një prej atyre që ia dolën të bëjnë rrugë e karrierë, është edhe Ëngjëll Agaçi” shkruan Rama.Duke vlerësuar aftësitë e tij profesionale, Kryeministri Rama nuk harron ti njohë dhe sakrificën zotit Agaçi, teksa pranoi propozimin për të marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm i kryeministrisë.“I shkëlqyer në studime, i pandalur në punë, i papërtuar për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në Itali, i respektuar në mjedisin profesional të Romës, ai la studion e tij të avokatisë në kryeqytetin italian për t'iu përgjigjur pozitivisht ftesës sime që të jetë Sekretari i ri i Përgjithshëm i kryeministrisë”thekson Rama.Ndërsa falenderon për mirësjelljen e korrektesën në dorëzimin e detyrës paraardhësin e tij, Rama shpreh bindjen se falë Ëngjëll Agaçit, puna me draftet e reformave e të ligjeve do të njohë një cilësi të re dhe fryma e skuadrës vetëm do të fuqizohet falë kulturës së tij të jashtëzakonshme profesionale e qytetare.