Shëndetësia në programin e PS
“Sistemi shëndetësor te ne nuk parandalon, nuk diagnostikon, nuk kuron dhe nuk rehabiliton”!!! Kjo është shkruar qartësisht që në fillim të programit të PS për sistemin tonë shëndetësor. Atëherë çfarë bën ai??!! Të them të drejtën, nuk po u besoja syve kur po e lexoja këtë afirmim kaq të thellë nihilist për të gjithë sistemin tonë shëndetësor, për mjekët, infermierët, profesorët, të gjithë së bashku. Nihilizëm absolut për të gjithë atë çfarë është bërë në dekada në sistemin tonë shëndetësor, për punën, arritjet, vlerat, për jetët e shpëtuara, për pacientët e mjekuar, sakrificat e pafund.Mungesë vlerësimi dhe për personalitetet tona të shëndetësisë që nga Shiroka i madh, te Gaçja apo Bekteshi, të Paparisto apo Elezi, Ndroqi apo Popa, Sulçebeu apo Gliozheni, Selenica apo Kurti e shumë të tjerë, deri te kolegët e sotëm, që me kompetencë e përkushtim çdo ditë, çdo minutë diagnostikojnë, kurojnë, shërojnë, shpëtojnë mijëra jetë. Sistemi ynë shëndetësor është ngritur, zgjeruar e zhvilluar mbi një punë kolosale, shumëvjeçare. Ai tashmë ka pasurinë e tij të madhe, kontributin e tij, që çdo ditë dhe më tepër pasurohet, forcohet e elaborohet. Si është e mundur që me një të rënë lapsi të mohosh çdo gjë që ky sistem ka realizuar dhe po realizon pa ndërprerje në këtë vend akoma të varfër, të vogël, akoma të brishtë, por me një vokacion të qartë zhvillues?! Një mentalitet i tillë nuk premton ecje përpara.Përmirësimi i mëtejshëm ka nevojë për të njohur, pranuar e shfrytëzuar atë që është realizuar përpara teje, për të njohur objektivisht arritjet dhe mosarritjet, për të analizuar sukseset e dështimet, ka nevojë për eksperiencën e derisotme për ta zhvilluar më tej atë. Vetëm kështu sigurohet zhvillimi linear, real e jo spekulativ, i qëndrueshëm dhe i domosdoshëm, për ecurinë e sistemit tonë shëndetësor. Sistemi ynë shëndetësor ka shumë probleme kjo është e vërtetë, por ka dhe shumë arritje. Të gjitha duhen njohur, pranuar, analizuar, për të nxjerrë konkluzionet e dobishme. Unë jam koshient që dhe gjatë qeverisjes tetëvjeçare të PD, krahas ndryshimeve pozitive në shëndetësi, pati dhe shumë elemente të tjera, veçanërisht të lidhura me politikat e menaxhimit, format e financimit, ritmet e decentralizimit, krijimit të tregut të këtij sistemi, ku u përparua me shumë ngadalësi, oshilacione, hezitime, disa herë pa ide të qarta, gjë që pa dyshim jo rrallë pengoi apo ngadalësoi ritmet e ecjes në rrugën e duhur. Pra, në analizat, konkluzionet e veçanërisht në programet qeverisëse duhet të jemi gjithëpërfshirës e realistë. Këto duhen bërë me objektivitet, jashtë spekulimeve elektorale, por të bazuara në të dhëna konkrete. Qoftë euforia, qoftë nihilizmi janë shkatërruese për zhvillimin. Një program qeverie nuk mund të bazohet mbi këto kolona. Fatkeqësisht në programin e PS për shëndetësinë, por jo vetëm për atë, spikatin këto kolona kryesore. Nihilizëm ekstrem për të kaluarën, mohim për atë që bëhet, eufori spekulative dhe e paargumentuar për atë që socialistët do të realizojnë nesër. Kjo nuk të çon asgjëkund.Avancimi i reformës në sistemin tonë shëndetësor sot ka nevojë për vlerësim të arritjeve, për njohje të problemeve e dobësive, përcaktim të qartë të objektivave, piketa konkrete për të nesërmen. Nuk duhet të harrojmë se politikat e zhvillimit në këtë fushë, që prej 1992-shit kanë pasur një vazhdimësi pozitive, pavarësisht oshilacioneve të ritmeve, qoftë nga qeveritë e djathta apo të majta. Fatkeqësisht kjo mungon në programin e djeshëm të PS. Në të vërtetë nuk mungon vetëm ky element, mungojnë dhe premtimet e tyre elektorale kryesore. Në fakt, kjo është me pozitivja në atë program. Fatmirësisht nuk flitet me për gënjeshtrën e madhe komuniste “shëndetësi falas”. Flitet për “realizimin e financimit vetëm nga taksimi i përgjithshëm”. Edhe ky është një absurditet! Shkruhet se financimet publike për shëndetësinë janë të ulëta, gjë që është e vërtetë.Por, nga ana tjetër, askund nuk thuhet se sa do të jetë GDP-ja e qeverisë së re për shëndetësinë, si do të jetë ritmi i rritjes së financimeve për këtë sektor në katër vite. Aq më shumë që duke ndërprerë kontributet direkte, një vetëvrasje kjo për sistemin, do të ulet me 25% financimi për atë. Pyetja ime është e thjeshtë: Për të përballuar këtë deficit e për të rritur më tej financimet, sa do të rritet taksimi i popullsisë kur thuhet që të ardhurat do të vijnë vetëm nga taksimi i përgjithshëm?! Sa do të jetë në vite buxheti i shëndetësisë? Në fakt, pyetje e objeksione të tilla unë kam shumë për këtë program. Kam për paqartësitë e decentralizimit, konceptit spitali-ndërmarrje, “tregut të shëndetit” etj.Dëshiroj gjithashtu të pyes: Si është e mundur që ndërsa në program i jepet me të drejtë rëndësi “rolit të solidaritetit qytetar”, kërkohet po aty që të eliminohet “sistemi i kontributeve direkte” te ne?! Dua të theksoj se kontributet direkte konsiderohen sot nga të gjithë autorët si shprehja më konkrete dhe frytdhënëse e solidaritetit. Sidoqoftë, në këto rreshta nuk do të vazhdoj më tej kështu, sepse asnjë nga këto pyetje nuk merr ndonjë përgjigje në atë material. Në të vërtetë nuk mund të kenë përgjigje për vetë bazën mbi të cilin është ndërtuar ai program.Kjo sepse ai është ngritur mbi elemente mohuese të sistemit, nihilizma, mbi mjegullnaja spekulimesh për të nesërmen, irealizma, mbi shumë ide krejt të kundërta nga ato për të cilat ka nevojë shëndetësia jonë në rrugën e kapërcimit të vështirësive e zhvillimit të saj me ritmet e nevojshme. Në fakt ky program i ngjan një kështjelle rëre në bregdet.Burimi : panorama.com.al