Vetëdija historike dhe identiteti europian
DY NGJARJE DHE NJË KREMTEJava e kaluar në Kosovë u përcoll me dy ngjarje dhe një kremte të rëndësishme. Të martën u hap ekspozita e hartave romake të antikës së vonë; të mërkurën ishte një simpozium ndërkombëtar me rastin e 1700-vjetorin të Ediktit të Milanos. Në këto ngjarje, krahas rolit qendror që kishte Ipeshkvia e Kosovës dhe institucionet e tjera shkencore, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ishte po ashtu bashkorganizatore e tyre. Ngjarja më kulmore ishte në ditën e tretë, kremte e së enjtes më 5 shtator, kur edhe u mbajt mesha për nder të dhjetëvjetorit të Lumturimit së Nënë Terezës. Kjo ishte një javë jubilare, e cila flet për shtratin historik dhe kulturor, për kulturën institucionale dhe për orientimin tonë europian. Konstantini i Madh ishte ndër perandorët më me ndikim të Perandorisë së vonë Romake.Ai solli rikthimin e fuqisë së saj politike dhe ringritjen e saj morale në një kohë kur ajo po jepte shenja serioze të shpërbërjes së saj. Vendimi i tij, i njohur si Edikti i Milanos, i vitit 313, përmes të cilit ai e dekretoi lirinë e besimit të krishterë, që deri atëherë ishte i ndaluar dhe i përndjekur, që paraqet ngjarje kthesë për Kishën dhe të kulturën perëndimore. Ky vendim e zyrtarizoi krishterimin në këtë perandori dhe e bëri atë të barabartë me fetë të tjera. Shumë shekuj më vonë, gjegjësisht në shekullin 20, një grua, e cila në rini përqafoi udhën e mistikëve të mëdhenj, e ndryshoi në themel stilin dhe veprimtarinë e të qenit misionare. Ajo ishte Nënë Tereza, e cila e bëri për mision të saj mbështetjen e të varfërve, të braktisurve dhe popujve të shtypur. Në shekullin e kaluar pak personalitete kanë ndikuar si ajo nën petkun religjioz dhe shoqëror si Nënë Tereza. Ajo është radhitur ndër personalitetet më të vlerësuara botërore, sikurse Mahatma Gandhi, Martin Luther King apo Nelson Mandela. Për këtë, më 17 tetor 1979, Komiteti Norvegjez bëri të ditur në Oslo se çmimi për Paqe i ishte ndarë Nënë Terezës. KUJTESA DHE IDENTITETIFigura historike e Konstantinit të Madh dhe personaliteti botëror i Nënë Terezës kanë qenë objekt hulumtimi në një numër librash, studimesh e shkrimesh publicistike ndërkombëtare. Për këtë arsye nuk do ndalem në një editorial si ky në ripërsëritjen e të dhënave biografike apo fakteve historike të kohës. Këtu unë synoj vetëm të jap disa reflektime personale rreth trashëgimisë së tyre historike dhe kulturore, e cila është një vlerë e përbotshme për njerëzimin. Për më shumë, kjo trashëgimi është një vlerë e veçantë edhe për Kosovën; ajo është pjesë e kujtesës sonë historike dhe e identitetit tonë europian. Kujtesa historike është një manifestim shoqëror shumë kompleks, e cila krijohet dhe rikrijohet disa herë në kriza, konflikte dhe luftëra. Shpeshherë ajo e ruan substancën, por mund ta humbë formën, dhe e kundërta.Po ashtu, identitetet e popujve bëhen dhe ribëhen në procese kthesash të mëdha historike, duke ruajtur emrin, përmbajtjen dhe shfaqjen e jashtme apo duke i humbur të gjitha. Për shkak të karakterit kompleks të kujtesës historike dhe të identitetit, këtu do përmend vetëm disa elemente historike dhe aspekte kulturore, të cilat e japin edhe thelbin e peshës politike të kësaj trashëgimie dhe, si të tilla, shndërrohen në përbërës të identitetit tonë. Por së pari duhet ta kuptojmë më mirë se përse këto dy figura historike paraqesin referenca të vazhdimësisë sonë historike dhe kulturore. Së pari, do përmend këtu gjeografinë e vendlindjes së tyre. Për Konstantinin e Madh historianët antikë dëshmojnë se qyteti dardan Naisus ishte vendlindja e tij. Ndërsa Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë mori emrin Nënë Tereza, lindi më 1910 në një familje shqiptare nga Prizreni i Kosovës, të familjes së Nikollë (Kolë) Drane Bojaxhiut. Gjeografia antike e përcaktonte provincën romake të Dardanisë si pjesë të Ballkanit Qendror; gjeografia moderne e përcakton Kosovën si vend me pozitë qendrore në Europën Juglindore.Gjeografia si një fakt i dhënë dëshmon identitetin europian të Kosovës, e cila është e rrethuar edhe nga shumë vende të tjera europiane, si Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Të gjitha këto vende e kuptojnë veten si europiane, dhe kjo vlen edhe për Kosovën. Disa nga fqinjët e tyre tashmë janë bërë anëtarë të Bashkimit Europian, si Greqia, Bullgaria, Rumania dhe së fundi edhe Kroacia. Së dyti, si aspekt me rëndësi është origjina e tyre. Mendimi shkencor bashkëkohor i sheh shqiptarët si pasardhës të ilirëve dhe krahas latinëve, gjermanëve dhe keltëve, si një ndër popujt më të vjetër në kontinentit europian. Fakti historik që Konstantini i Madh ishte me origjinë ilire nga Dardania e bën atë pjesë të kujtesës sonë historike. Sa i përket Nënë Terezës, në një libër të botuar nga Vatikani dhe përdorur në ditën e ceremonisë të Lumturimit të saj, më 19 tetor 2003, thuhet: “Me gjak jam shqiptare, sipas thirrjes i përkas botës, dhe sa i përket besimit, jam murgeshë katolike”. Së treti, është gjuha e Konstantinit të Madh, gjuha latine. Burimet e kohës antike e përmendin origjinën dardane, por askund nuk ka të dhëna që ai të ketë folur ndonjë dialekt gjuhësor të prejardhjes së tij.Sido që të jetë, Dardania antike i ka takuar arealit kulturor latin dhe latinishtja ka qenë e përhapur si në shumë provinca të tjera romake. Por nuk ka dyshim që në kuadër të letërsisë së hershme shqipe në Kosovë, si dhe kudo në viset e tjera shqiptare në Ballkan, është shkruar në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën latine. Elitat e kohës kanë përdorur paralelisht në komunikimet dhe shkrimet e tyre të dyja gjuhët deri në shekullin e 18-të në tërë territorin e Kosovës, sikurse është fjala për shkrimet nga Pjetër Budi te Pjetër Bogdani. Kështu, shqiptarët si ndër popujt e rrallë të rajonit, përdorën në kontinuitet një kohë të gjatë shqipen dhe gjuhën latine. Kur një grup intelektualësh në Kongresin e Manastirit, më 1908-n, dhe nën udhëheqjen e Gjegj Fishtës dhe Mit’hat Frashërtit, në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane morën vendim për alfabetin latin të gjuhës shqipe, kjo ngjarje ishte kumt i fillimit të rikthimit në Europë. Por, në të njëjtën kohë ishte një ngjarje kontinuitet i arealit latin gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve në histori.Zyrtarizimi i alfabeti latin fliste në atë kohë për përkatësinë tonë europiane dhe tregon edhe sot për orientimin tonë europian. Së katërti, Konstantini i Madh me Ediktin e Milanos ishte ideator i lirisë si koncept, i lirisë individuale dhe kolektive. Natyrisht, shumë kohë para tij liria politike kishte qenë e njohur për shumë popuj dhe përcaktuese e rrjedhës së tyre. Mirëpo, me Ediktin e Milanos liria fetare si koncept i ri u bë përcaktuese e një emancipimi dhe zhvillimi shoqëror të popujve dhe ajo fitoi një dimension të ri. Edhe Nëna Tereza disa shekuj më vonë, kur bota ishte e ndarë përmes Luftës së Ftohtë, ideologjive e diktaturave, do të përkushtohej për rikthimin e dinjitetit njerëzor të individëve. Në vitet dramatike të fundit të regjimit komunist në Shqipëri dhe shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë, Nëna Tereza do të shndërrohet në simbol të aspiratës për liri te shqiptarët dhe si frymëzim i përhershëm për rikthimin tonë në Europë.Një aspekt i pestë i këtij Edikti është se ai paraqet akt të tolerancës ndërfetare me të cilin para 1700 vjetësh u shpall krishterimi në mes e feve të tjera si fe e barabartë. Para se të bëhej publik ky vendim i zyrtarizimit të kësaj feje, krishterimi ishte përhapur ndër ilirët që në periudhën e hershme të tij. Në qytetin dardan të Ulpianës që herët do të paraqiten martirët e parë të krishterë Flori dhe Lauri dhe një kishë dardane me një rrjet të mirëfilltë institucional do të jetë pjesë e shoqërisë antike të kohës. Katedralja me emrin e Nënë Terezës ngritur në mes të kryeqytetit të Kosovës është dëshmi e lashtësisë dhe idesë së harmonisë ndërfetare të bartur në shekuj deri më sot. Dhe kur sot shteti i Kosovës është i ndërtuar në tri parimet e mëdha – demokracia, multienticiteti dhe sekularizmi – që të tria këto reflektojnë një shtrat kulturor europian. Kodi zakonor i shqiptarëve të veriut është pothuajse i njëjtë me thelbin dhe misionin e tij me tradita të njëjta të popujve europianë të mesjetës. Kur për herë të parë kam lexuar Nibelungen në gjuhën gjermane, aty ka elemente të cilat të rikujtojnë situata të eposit gojor shqiptar.Kur në fillet e kohës moderne paraqitet përkundër një vonese lëvizja kombëtare shqiptare, ajo ishte e formësuar dhe ndërtuar në konceptet europiane të humanizmit, iluminizmit dhe romantizmit të kohës. Programi i saj politik, qeverisës dhe kulturor ishte europian, siç edhe reflekton fuqinë e tyre Sami Frashëri, si ideolog i saj. Programi kombëtar i asaj kohe ishte një nacionalizëm laik dhe ideja e prejardhjes ilire, i gjuhës së saj indoeuropiane dhe i territorit historik të banuar nga shqiptarët do të bëhen përcaktues të identitetit kombëtar. Në këtë drejtim, harmonia fetare dhe jeta në një peizazh multietnik, multikulturor dhe multifetar kanë qenë në funksion të interesit afatgjatë dhe lirisë. Kështu, identiteti kombëtar si element i përkatësisë së përbashkët do të jetë mbi tri fetë e tjera dhe një shqiptar i besimit mysliman do të jetë po aq europian sa edhe një shqiptar i besimit katolik apo ortodoks. Natyrisht që ka edhe aspekte të tjera, të cilat do të duhej të merreshin në konsideratë për ta kuptuar këtë përvojë historike.Këtu dua të përmend një të fundit. Edikti i Milanos është po ashtu edhe një edikt i paqes dhe Nënë Tereza, një misionare e paqes dhe e humanizmit. Misioni i tyre është dhe mbetet pikë referimi për mbarë shqiptarët dhe gjithë popujt e tjerë të botës, të cilët te Konstantini dhe Nënë Tereza shohin themeltarin e paqes dhe të simbolin vijon nga faqja 1 e vlerave të larta humane. Paqja ka qenë ndër synimet më sublime të popullit të Kosovës gjatë historisë. E kaluara e tij është pa dyshim histori e lëvizjeve politike, e gjuhës, e kulturës dhe identitetit të njëjtë me të gjithë shqiptarët në rajon. Për më shumë, e kaluara e tij është histori e aspiratës për liri dhe e vullnetit për paqe. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të 2008- s, Kosova u dëshmua si faktor paqeje dhe stabiliteti në Europë dhe më gjerë.Viti 2013 është një vit i rëndësishëm në arritjen e një paqeje përfundimtare pas Marrëveshjes së 19 prillit për normalizimin e relacioneve mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtet të pavarura, e cila ka për qëllim të përmbyllë kapitullin njëshekullor të konfliktit dhe të luftës mes dy popujve. Pa dyshim që është hapur një kaptinë e re e relacioneve në mes të dy popujve të rajonit, por kjo kaptinë e re mund të shkruhet përfundimisht kur të jetësohet plotësisht kjo marrëveshje.Marrëveshja do të jetë historike atëherë kur ta ndryshojë rrënjësisht situatën në Veri të vendit dhe kur vërtet relacionet historikisht të ngarkuara mes Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të shndërrohen në relacione të fqinjësisë së mirë. S’ka dyshim se dialogu dhe marrëveshja e arritur në Bruksel kanë qenë një ngritje e shtetit të Kosovës në skenën politike europiane. Kosova është bërë model për zgjidhjen politike edhe të dy sfidave të tjera historike në rajon; adresimi i relacioneve mes entiteteve në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe çështja e kontekstit të emrit të Maqedonisë mes Shkupit dhe Athinës. VETËDIJA HISTORIKE DHE VULLNETI POLITIKTë gjitha këto aspekte të dhëna këtu japin një pjesë të përvojës sonë historike. Ato e reflektojnë vetëdijen tonë historike si pjesë e pandashme e qytetërimit europiane perëndimor. Vetëdija historike e një populli ka një rol vendimtar në përcaktimin e pozitës së një shoqërie brenda dimensionit kohor dhe hapësinor. Ka disa parametra, të cilët gjatë historisë kanë shërbyer si paracaktues të fuqisë së një vendi dhe nga të cilat elitat politike kanë parapërcaktuar orientimet për rolin e një shteti apo të një shoqërie në një situatë të caktuar gjeopolitike. Kështu, faktorë si madhësia gjeografike apo demografike, kapaciteti ushtarak apo teknologjik, ekonomia apo resurset e tjera të një vendi kanë parapërcaktuar rrjedhin e historisë dhe fuqinë reale të një vendi.Historikisht, faktorë të tillë kanë qenë vendimtarë dhe mbeten edhe më tutje në kuptimin e balancave të fuqive globale apo rajonale, që shpeshherë njihen si ekuilibri i forcës. Mirëpo, përveç këtyre faktorëve, ndër ta i cili shërben për të projektuar fuqi dhe për të krijuar një relacion dinamik mes kapaciteteve demografike, ushtarake dhe ekonomike të një vendi, është parametri i vullnetit politik. Vullneti politik është shumë shpesh edhe shfaqje e vetëdijes historike, e cila paracakton vetëbesimin e një populli. Vetëbesimi është i ndërlidhur me atë se sa një popull dhe elitat e tij janë të përgatitur psikologjikisht për procese kyçe strategjike.Kështu jo rrallë vetëbesimin dhe forcën e gjen një popull në të kaluarën e tij. Përvoja historike për shtet të mirëfilltë dhe elita serioze shihet si një element me peshë në projektimin e vullnetit politik, në formësimin strategjik dhe për orientimin e partneritetit afatgjatë. Ajo shërben për planifikimin e së ardhmes pa humbur fokusin në situata të politikës ditore apo të veprimeve taktike. Si e tillë është bazë për kërkim të një pozicioni ndërkombëtar. Prandaj shteti i Kosovës nuk ka alternativë tjetër veç se të jetë pjesë e botës dhe institucioneve euroatlantike, meqë identiteti i Kosovës është identitet europian.Asnjëherë gjatë historisë populli i Kosovës nuk i është dorëzuar ndonjë qytetërimi tjetër, por ka mbetur pjesë e pandashme e botës dhe e qytetërimit europian. Popujt që e kanë ndërtuar kulturën politike mbi një identitet të fuqishëm historik dhe psikologji të vetëbesimit, kanë ballafaquar me sukses kriza të brendshme, goditje nga jashtë dhe është kthyer përsëri në skenën e historisë. Shteti i Kosovës, si pjesë e peizazhit të shteteve të tjera në Europën Juglindore, është ndër të tjerash edhe produkt i vetëbesimit, vullnetit politik dhe vetëdijes sonë historike europiane.(Autori është ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës)Burimi : panorama.com.al