Gjuha Shqipe dhe Politika

Në Perandorinë ish-Sovjetike, që ishte një konglomerat popujsh e gjuhësh, kur ndodhej në bisedë qoftë dhe vetëm një rus, të gjithë pjesëmarrësit, edhe pse mund t’u përkisnin kombësive të tjera, duhet të flisnin në rusisht. Në momentin kur dikush nuk e respektonte këtë “rregull”, atëherë dëgjohej shprehja: “Fol në gjuhë normale”, që nënkuptonte sërish përdorimin e rusishtes. Natyrisht që ky ishte një mentalitet kolonialist dhe nuk kish të bënte aspak me hierarkinë e gjuhëve apo me pamundësinë e tyre për të shprehur qartë mendimet dhe mesazhet. E njëjta gjë mund të thuhet mbi influencën e anglishtes apo dhe frëngjishtes në gjuhët e kolonive të tyre në botë dhe përtej oqeaneve, që ndonëse ndihmonin njerëzit të arrinin të krijonin vlera të përgjithshme për njerëzimin, në anën tjetër influenconin në ushtrimin e paktë të gjuhëve lokale. Sigurisht që qëndrime të tilla janë të papranueshme dhe sjellin gjithmonë kontradikta etnike, prej të cilave vuajtën shumë si Perandoria Britanike, Franceze në vitet ‘50-‘60 dhe ajo e ish-Bashkimit Sovjetik në fund të viteve ‘80.Shqipëria e kish kaluar më parë këtë situatë konfliktuale gjuhësore, kur në përpjekjet e elitës së saj për të krijuar shtetin kombëtar shqiptar, i ishte dashur të ndeshej me trysninë e gjuhës osmane dhe gjuhëve të fqinjëve ndaj gjuhës së vet. Duke qenë se shqiptarëve u mungonte komponenti i njëjtë fetar që vendet fqinje e kishin, gjuha shqipe ishte parë nga rilindësit dhe si mjeti më bashkues ndër shqiptarë, ndaj në memorien e kombit ajo zë një vend të veçantë. Kjo ishte dhe një nga arsyet se përse debatet për përdorimin e gjuhës shqipe standarde apo dialektore lënë pas një shije të hidhur në sytë e opinionit publik. Situata e krijuar me ankesën apo sulmin e vazhdueshëm që i bëhet standardit me argumente jashtë gjuhësore, dashur pa dashur çojnë ujë në mullirin e dasive lokale dhe krijimin e një ndjenje persekutimi të njërës palë mbi tjetrën. Po ç’është duke ndodhur vallë? A e ka humbur kaq shumë shprehinë e saj gjuha shqipe vetëm se po përdor standardin? A dëmtohen kaq shumë strukturat e gjuhës shqipe nga përdorimi i dialektit?Askush nuk mund të mohojë nga studiuesit seriozë të gjuhës dhe kulturës shqipe se epoka e pas vendosjes së standardit është periudha më e pasur në krijimtarinë artistike të shqiptarëve dhe përpos kësaj, standardi ka vepruar si enë komunikuese e suksesshme midis të gjitha komuniteteve shqipfolëse në rajon. Po kështu, është pranuar gjerësisht nga të gjithë gjuhëtarët se dialektet janë një pasuri në gjuhë, të cilat bëjnë të mundur që të përsosen më tej format shprehëse të komunikimit. Ne sot ndihemi mirë kur lexojmë veprën e Kadaresë në standard po aq dhe të pasuruar në shprehi kur lexojmë Camajn. Fundi i fundit çdo autor mund ta zgjedhë vetë shprehinë e vet të komunikimit dhe audiencën që i drejtohet, në varësi të mesazhit që do të përçojë e në varësi të shijeve të tij estetike. Për më tepër, gjuha shqipe dhe dy dialektet kryesore të saj nuk janë p.sh. si gjuha italiane, në të cilën dikush që flet dialektin jugor të Sicilisë e ka të vështirë të kuptojë atë të veriut të Milanos, ndaj nxjerrja vazhdimisht në pah e këtij problemi duket se në shumë raste më tepër është bërë çështje karriere për një kategori njerëzish të letrave sesa ka përfituar seriozitet shkencor të trajtimit të problematikës. Duke u marrë vazhdimisht me të shkuarën dhe mënyrën sesi është vendosur gjuha standarde, shpeshherë po harrojmë edhe gabimet që po bëjmë në të tanishmen.Ne sot jemi dëshmitarë që një dokumenti të hartuar nga një nëpunës i shtetit shqiptar i mungojnë “ç”-të dhe “ë”-të, sintaksa është në shumë raste e pakuptueshme dhe teksti është i mbushur plot me fjalë të huazuara nga gjuhët e fqinjëve dhe gjuha angleze e franceze. Në këtë kontekst nisma e Kryeministrit të zgjedhur Rama për të punësuar 24 redaktorë të gjuhës shqipe pranë ministrive dhe kërkesa që çdo dokument i administratës shqiptare të jetë i shkruar shumë mirë në shqip, duhet përgëzuar si një veprim që nuk synon ndonjë shfaqje propagandistike imazhi, por thjesht synon të sjellë në hullinë e duhur një problem që është kthyer në një gangrenë për kulturën shpirtërore shqiptare. “E para është fjala”, thuhet në Bibël, dhe kjo fjalë për shtetasit shqiptarë duhet të vijë në një shqipe të pastër e të kulluar nga administrata që e paguajnë me taksat e tyre. Ky akt i thjeshtë, por shumë simbolik, tregon se qeveria e ardhshme ka një përqasje kulturore të fortë për të ringjallur të gjitha vlerat shpirtërore të shqiptarëve, sepse për fat të keq ajo që ishte vërejtur deri më tash ka qenë një politizim i panevojshëm i një problemi që nuk eksitonte, por që mendje të sëmura në politikën shqiptare dëshironin shumë ta krijonin.Përdorimi i qëllimshëm i dialektit në të folurin publik dhe më pas strategjia e përbaltjes për gjithë punën kërkimore shkencore të një periudhe 40-vjeçare që nga Kongresi i Drejtshkrimit më 1972, duke e etiketuar me zhargonin e njerëzve të paditur si “komuniste” dhe “marksiste” ia zbehën rolin e gjuhës shqipe si një mjet, kod e simbol të unitetit kombëtar dhe promovuan një rol të ri të saj, atë të vetizolimit dhe vetëpërcaktimit përçarës. Me deklarata të papërgjegjshme dhe brenda pak minutash, këta politikanë naivë e të paditur për procesin e formimit të kombit shqiptar u përpoqën të fshijnë të gjithë ngrehinën institucionale të bashkimit që rilindësit tanë kanë krijuar duke u mbështetur te pasuria dhe veçantia e gjuhës shqipe. Konflikti politik u transferua pa të drejtë si një konflikt kulturor, që në fakt bëri më tepër dëm duke fyer e paragjykuar në të njëjtën kohë bazën e gjuhës shqipe si mjet komunikimi i ndërsjellë mes gjithë komuniteteve shqipfolëse në rajon dhe krijoi premisa për debate të kota jashtë akademike që përbindshëm na sjellin në mendje ndarjen klasike të perceptuar nga të huajt Jug-Veri.Parë në këtë vështrim, në respekt dhe të detyrës së lartë institucionale që politikanët shqiptarë përfaqësojnë, është e udhës që në të ardhmen t’i kursejnë Shqipërisë kriza të tilla të karakterit përçarës, pasi një e tillë do të ishte fatale për të ardhmen. Shqipërisë më shumë se kurrë i duhet ndërgjegje institucionale dhe kredo besimi për të bërë të mundur që të kapërcejë sfidat e rëndësishme të integrimit që ka përpara. Gjuha e folur dhe gjuha politike duhet të jetë një mjet bashkimi dhe uniteti sesa një gjuhë përçarjeje dhe urrejtjeje. Nëse shqiptarët për një periudhë shumë të gjatë, për shkak të diktaturës, ishin të detyruar që të flisnin me gjuhën e Ezopit, tashmë ka ardhur koha që t’i flasin njëri-tjetrit ballë për ballë dhe drejt e në sy dhe mbi të gjitha thjesht, pastër e shqip për të gjitha problemet që shqetësojnë vendin.Burimi : gazeta-shqip.com