Rebelët marrin një bazë ushtarake në Damask

Rebelët në Siri kanë deklaruar se kanë marrë kontrollin e një baze ushtarake në periferi të Damaskut.Në një video të publikuar njësitet rebele  janë shfaqur duke ecur nëpër bazën e Batalionit të Mbrojtjes Ajrore.Ndërkohë ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë thënë se koalicioni i ri i opozitës siriane është “përfaqësues legjitim i popullit”, por kanë refuzuar t’i japin njohje të plotë.I vetmi vend i Perëndimit që ka njohur Koalicionin Kombëtar të Sirisë është Franca.Megjithatë, disa parti opozitare në Siri e kanë kundërshtuar atë duke thënë se është “projekt i huaj”.Siria po përballet me protesta antiqeveritare që në mars të vitit të kaluar. Presidenti Bashar al-Assad ka shtypur dhunshëm kundërshtarët e tij. Mbi 38,000 njerëz thuhet se kanë humbur jetën në trazira.