Presidenti Obama vizitë në Birmani
E ka quajtur "udhëtimi i jashtëzakonshëm" turin e tij të nisur në Azinë Juglindore presidenti amerikan Barak Obama gjatë një fjalimi historik që mbajti në universitetin e Rangoon, në Burma. Obama mbërriti të dielën në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, duke nisur kështu turin e tij të parë ndërkombëtar që prej rizgjedhjes.Si presidenti i parë amerikan që viziton Burmën, shtetin e përgëzuar nga perëndimi për reformat demokratike që ka ndërmarrë pas lirimit të qindra të burgosurve politikë dhe mbajtjes së zgjedhjeve demokratike dhe të lira, Obama ka kërkuar garanci për vazhdimin e reformave demokratike. Duke iu drejtuar studentëve në universitetin Rangoo Obama tha se SHBA do të ndihmojë për të rindërtuar ekonominë në Birmani dhe do të jenë një partner në udhëtimin e saj përpara."Ky udhëtim sapo ka nisur dhe do të jetë ende i gjatë. Reformat e shoqërisë duhet të kënaqin aspiratat e qytetarëve, që përbëjnë themelin e saj", tha Obama.Obama zhvilloi takime me Presidentin Thein Sein si dhe me lideren e opozitës, Aung San Suu Kyi. Aktivistja më të njohur për demokraci të vendit, e cila u lirua nga arresti shtëpiak në vitin 2010, pas gati 20 vjetësh falënderoi SHBA për mbështetjen e saj, por paralajmëroi se kohë të vështira qëndrojnë përpara."Koha më e vështirë në çdo tranzicion është kur ne mendojmë se suksesi është në horizont," tha ajo, duke thënë se njerëzit nuk duhen joshur nga mirazhi i suksesit.Ndërkohë ky udhëtim tregon edhe interesimin e Obama për Azinë, ndërsa ai përpiqet të përmbushë zotimin e tij për të përforcuar ekonominë amerikane gjatë mandatit të tij të dytë. Administrata Obama ka thënë se politika e jashtme dhe angazhimi amerikan në të ardhmen do të përqëndrohet tek Azia.