Erdogan: Izraeli, “shtet terrorist”

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka quajtur Izraelin “shtet terrorist”. “A mund të kenë vend në këtë botë ata që masakrojnë fëmijë? A mund të themi se ata respektojnë njerëzimin? Për këtë arsye unë them se Izraeli është shtet terrorist”, ka thënë Erdogan.Këto komente ai i ka bërë gjatë një një takimi të Këshillit Islamik të Euroazisë në Stamboll. Ato vijnë në kohën kur luftimet ndërmjet Izraelit dhe Rripit të Gazës kanë hyrë në ditën e gjashtë të tyre. Numri i viktimave në rajonin palestinez ka arritur në 95.Diplomatët rajonalë po bëjnë përpjekje për ndërmjetësimin e armëpushimit. Dhuna në mes dy rajoneve është intensifikuar qysh të mërkurën, kur Izraeli ka vrarë shefin ushtarak të Hamasit – lëvizjes islamike që kontrollon Rripin e Gazës.