Kriza në Gaza dhe marrëdhëniet SHBA-Turqi
Thellimi i krizës izraelito - palestineze rreth Gazës po krijon tendosje në lidhjet amerikano – turke, ndërsa Ankaraja është duke i bërë thirrje Uashingtonit për të përmbajtur Izraelin.Gjatë një konference në Stamboll, kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi ashpër Izraelin për ndërhyrjen e vazhdueshme ushtarake në Gaza.“Ata të cilët e lidhin Islamin me terrorizmin mbyllin sytë para vrasjes masive të myslimanëve dhe masakrimit të fëmijëve në Gaza. Këto akte e bëjnë Izraelin shtet terrorist dhe aktet e tij janë terroriste” tha ai.Erdogan bëri deklarata të ngjashme edhe gjatë një vizite në Kajro javën e kaluar.Presidenti amerikan Barak Obama ka mbrojtur me forcë Izraelin në lidhje me operacionet kundër Gazës, duke përmendur të drejtën e Izraelit për vetë-mbrojtje.Disa vëzhgues politikë në Turqi thonë se pikëpamjet e kundërta të dy udhëheqësve mund të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve.Analistët thonë se mes të presidentit amerikan dhe kryeministrit turk janë vendosur lidhje të forta ndërsa dy udhëheqësit janë në kontakt të rregullt - në veçanti në lidhje me konfliktin në Siri dhe mbështetjen e opozitës ndaj presidentin sirian Bashar al-Asad.Por Erdogan, me kritikën e ashpër ndaj Izraelit, tërthorazi kritikon Uashingtonin dhe Bashkimit Evropian për atë që ai thotë se kanë dështuar për të përmbajtur izraelitët.Tani për tani, të dyja palët duket se pajtohen me kundërshtinë në pikëpamje mbi konfliktin e Gazës. Por një thellim i krizës apo edhe një vazhdim i zgjatur i saj do të kërcënonte marrëdhëniet e ardhshme midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.Sot, Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu viziton Gazën si pjesë e një nisme të Lidhjes Arabe. Ankaraja po kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Davutoglu pritet t'i bëjë jehonë retorikës së ashpër të kryeministrit Erdogan ndaj Izraelit. Por prapa skenës ai pritet të punojë shumë për të gjetur një zgjidhje për krizën që po thellohet.