Vijon protesta në Morinë, tregëtarët kundër barrierave doganore

Përfaqësuesit e bizneseve nga Kosova e Shqipëria për të dytën ditë po vazhdojnë protestën kundër masave dhe barrierave që doganat e Kosovës po vendosin ndaj bizneseve të dy shteteve. Ata thonë se me këto masa po favorizohen prodhimet serbe. Në pikën kufitare të Morinës sipas Këshillit Organizativ të Protestës mbi 250 makina janë të bllokuara.Më shumë se 150 kompani shqiptare dhe kosovare janë bërë bashkë duke ngritur zërin në zonën neutrale të doganës së Morinës, për të kundërshtuar kështu politikën që po ndiqet ndaj tyre. Përmes kësaj proteste përfaqësuesit e biznesit kanë kërkuar krijimin e një organi të vetëm doganor, heqjen e tarifës prej 40 euro për shërbimin terminal e ndërtuar nga pala kosovare dhe që tashmë menaxhohet nga një kompani private si dhe dhënien fund të luftës tregtare që po dëmton biznesin e dy vendeve.Sipas tregëtarëve që protestojnë që nga 1 gushti eksporti është bërë i vështirë dhe e vetmja që përfiton nga kjo situatë është Serbia, që rrit mundësinë e futjes së mallrave të saj në Kosovë.Përmes pikës kufitare dhe doganës së Morinës në Kukës kalojnë çdo ditë qindra automjete të tonazhit të rëndë që importojnë dhe eksportojnë mallra të ndryshme. Me barrierat doganore të krijuara nga të dyja palët, sipas ekspertëve një kompanie i shkaktojnë një dëm prej 100 000 euro në vit, kosto këto që ndikojnë në çmimet në treg apo dhe shkurtimet e vendeve të punës.