Abuzuesit e karburanteve jo më sekret, Berisha: Emrat e kompanive do bëhen publikë
Qeveri shqiptare nuk do të sigurojë anonimanitet për asnjë kompani karburantesh të cilat do të abuzojnë me sasinë e naftës apo benzinës që i shesin konsumatorëve. Në mbledhjen e sotme të qeverisë në mbështetje edhe të aksionit të një dite më parë të Drejtorisë së Përgjithshme e Metrologjisë, Berisha ka kërkuar nga Ministri i METE akt normativ për të bërë publike emrat e kompanive abuzuese, duke mos u mjaftuar më vetëm me gjoba.“Akt normativ për të hequr pengesën ligjore. Çdo qytetar të marr vesh se kush i bën hile dhe kush jo. Ai merr dhe përzien naftën dhe ne ta mbajmë sekret? Asnjë sekret. Nëse ekziston pengesë ligjore, akt normativ do bëhet sot, ata le ta rrëzojnë nëse duan kur të vinë. Edhe këtë koncesion e kanë futur në shënjestër. Të heqim çdo pengesë ligjore. Transparencë të plotë” tha ai.Mbi 100 milion lekë gjoba janë vendosuar ndaj karburanteve, të cilët kanë abuzuar me sasinë e naftës apo benzinës që i shesin konsumatorëve.Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ka realizuar kontrolle në të gjithë vendin ku janë gjetur rreth 14 subjekte me ndërhyrje në instrumentët matës që përdoren gjatë shitjes së karburantit dhe gazit. Sipas drejtoreshës së DPM-së, Kozeta Mesiti, në rastet kur është konstatuar shkelje janë marrë masa dhe për bllokimin e pikave të kaburantit .Drejtoresha Mesiti ka deklaruar se do të vijojnë kontrollet dhe nuk do të lejohet që të abuzohet në kurriz të konsumatorëve, ndërkohë qe ftoi të gjithë qytetarët që të denoncojnë nëse hasin shkelje.