Çështja e toponimeve, Avokati i Popullit: Duhet zgjidhje përfundimtare

Problemi me toponimet i emigrantëve shqiptarë duhet të zgjidhet menjëherë dhe institucionet përgjegjëse duhet të kenë një strategji afatgjatë për këtë çështje.Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se në pasaportat të cilat kanë probleme me shkruajtjen e vendlindjes apo emrat sidomos në mos përdorimin e gërmës "Ë" ose "Ç", të jetë shteti ai që ti mbulojë kostot financiare për modifikimet e nevojshme, e jo qytetari.Toponimet pritet që të pengojnë sërish emigrantët të kalojnë kufirin, sepse marrëveshja e përkohëshme mes Shqipërisë dhe qeverisë helene përfundon në 5 Shtator dhe pasojat do të jenë rradhë kilometrike ose kthime në vend.Ky institucion ripërsërit edhe një herë rekomanidmet drejtuar minsitrisë së jashtme, asaj trë brendshme dhe policisë së shteti të marrin hapat ligjor sa më parë dhe me marrëveshje konkrete përzgjidfhjen e toponimeve, kosotoja e së cilës rëndon në xhepin dhe të ardhmen e emigrantëve shqiptarë.“Kjo çështje duhet trajtuar me transoparencë dhe seriozitet nga administrata e shtetit shqiptar në përputhje dhe me rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare.Nuk ka një zgjidhje përfundimtare të problemit, është problem që duhet të shqetësojë të gjithë administratën shtetërore në Shqipëri, është një interes dhe problem që prek shumë shtetas shqiptarë, edhe fëmijët të cilët pengohen të lëvizin me familjarët e tyre për në shtetin shqiptar apo edhe për tu rikthyer në shtetin ku ata jetojnë prej vitesh. Ka një afat që po afron, data 5 shtator. Ky afat po afron sëshpejti, nuk mund të shtyhet më apo të arrihet marrëveshje e përkohshme, duhet zgjidhje përfundimtare, duhet ti kushtohet vëmendja dhe rëndësia e duhur që të arrihet një marrëveshje konkrete mes dy shteteve tona. Dokumentet e udhëtimit të shtetasve shqiptarë janë pronë e shtetit shqiptar për të cilat ai duhet të mbajë përgjegjësi dhe duhet ti japë rëndësinë e duhur edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare me shtetet e tjera. Të mbrojë atë që është e shkruar dhe identitetin e personave për të cilin ato janë pajisur”.

 

Rekomanimi i plote: 

                                     REPUBLIKA E SHQIPËRISË

                                     AVOKATI I POPULLIT

     Seksioni i Administratës

 

Lënda:           Rekomandohet marrja e masave urgjente për negocimin dhe zgjidhjen e problemit të toponimeve greke në dokumentat e udhëtimit të shtetasve shqiptarë

 

Drejtuar:        Z. Aldo BUMÇI, Ministër i Punëve të Jashtme

    

                                           Z. Flamur NOKA,  Ministër i Brendshëm

              

                                                                            Për dijeni:     Sh.T.Z. Sali BERISHA , Kryeministër

Të nderuar Zotërinj Ministra,

 

 Institucioni i Avokatit të Popullit në përputhje me nenin 60 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me ligjin 8454/1999, “Për Avokatin e Popullit”, ushtron të gjitha funksionet dhe kompetencat e tij për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të ligjshme të shtetasve, nga veprimet apo mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të administratës publike apo personave të tretë të lidhur me të.

Për këtë arsye, gjatë punës tonë i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë edhe trajtimit të ankesave dhe problematikave që kanë të bëjnë me mbrojtjen  e të drejtave të shtetasve, garantimin e një trajtimi sa më dinjitoz, duke sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar ndër të tjera edhe organet e administratës publike për ushtrimin rigoroz të funksioneve dhe përgjegjësive ligjore.

Ashtu siç mund të jeni vënë në dijeni me anë të shkresave tona, pranë institucionit të Avokatit të Popullit kanë paraqitur së fundmi ankesat e tyre disa shtetas shqiptarë, të cilët shprehin shqetësimin e tyre lidhur me pengesat në lëvizjen e tyre të lirë për shkak të toponimeve greke në dokumentat e udhëtimit të shtetasve shqiptarë.

Ankuesit shprehen se më datë 30 Prill 2013 ka patur edhe një protestë qytetare para ambasadës tonë në Athinë për shkrimin e gabuar të toponimeve në pasaportat biometrike të prodhuara në ambasadën tonë në Greqi dhe zyrat e aplikimit në Shqipëri, gabime që u kanë kushtuar dhe u kushtojnë emigrantëve shqiptarë qëndrime të gjata në pikat e kalimit kufitar me shtetin grek, apo pasoja të tjera. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë zgjidhje të problemit të trajtimit të shtetasve shqiptarë, duke shkaktuar edhe cënim të lëvizjës së lirë të shtetasve dhe emigrantëve, të cilët janë të pajisur me dokumenta të rregullta udhëtimi nga shteti shqiptar.

 Konkretisht problemet e ngritura nga ankuesit mund të përmblidhen në këto pika:

-       Shkrimi i gabuar, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të vendlindjes së fëmijëve, i toponimeve respektive greke.

-       Mosplotësimi në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, i pikave të veçanta të pasaportave tip shqiptare. Nga dhjetë pika të pasaportës, vetëm pika tre(nënshtetësia) është e plotësuar në këto dy gjuhë. Nëse do të përmbushej ky kriter, të paktën edhe për vendin e lindjes, atëherë shumë shtetas shqiptar nuk do të kufizoheshin dhe trajtoheshin në mënyra degraduese në pikat e kalimit kufitar me shtetin grek.

-       Problemi i drejtshkrimit në gjuhën shqipe i emrave dhe toponimeve shqiptare, duke u fokusuar kryesisht në mungesën e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve të veçanta, siç janë “ç” dhe “ë”, të cilat janë pjesë e alfabetit të gjuhës shqipe dhe nuk mund të mohohen sipas dëshirave të zyrtarëve apo nëpunësve të një shteti tjetër.

-       Mosnjohja e vulës mbi çertifikatat shqiptare. Kjo vulë më përpara legalizohej nga përfaqësitë tona diplomatike në Greqi, legalizim i cili u transferua nga përfaqësitë tona diplomatike në Greqi në përfaqësitë diplomatike greke në Shqipëri. Aktualisht, sipas ankuesve, çertifikatat shqiptare janë të papranueshme nga administrata greke, pasi ato kanë një vulë e cila nuk është e njohur ndërkombëtarisht.

Sa më sipër, institucioni i Avokatit të Popullit ka ndërmarrë një proces hetimi të këtij problemi mjaft shqetësues për bashkëkombësit tanë, që jetojnë e punojnë në vendin fqinj, por që ndihen të fyer dhe të diskriminuar nga mungesa e veprimeve konkrete nga pala shqiptare për të negociuar dhe gjetur një zgjidhje të përhershme me shtetin grek.

 

Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes shkresave të tij zyrtare, duke u bazuar edhe në dispozitat kushtetuese dhe ligjore që parashikojnë dhe rregullojnë respektivisht funksionet dhe veprimtarinë e institucionit të pavarur kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individëve në Shqipëri, ka kërkuar dhënien e shpjegimeve nga ana Juaj lidhur me shqetësimet e ankuesve, cilat ishin masat dhe procedurat që po ndiqeshin aktualisht nga autoritetet shqiptare për shmangien e procedurave të tilla, cilat ishin shkaqet ligjore që kishin shkaktuar një situatë të tillë, nëse ishin ndërmarrë tashmë hapa konkrete për standartizimin e emrave gjeografik shqiptarë në dokumentat e udhëtimit të shtetasve tanë, duke u bazuar edhe në Udhërrëfyesit e Toponimeve të UNGEGN (United Nations Group of Experts on Geographical Names), nëse ishin ngritur tashmë autoritete kombëtare për standartizimin e përdorimit të emrave tonë gjeografik në dokumentat zyrtarë, cilat ishin procedurat që po ndiqeshin për përdorimin e rregullt dhe të gjithëanshëm të të gjitha shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe në dokumentat e udhëtimit të shtetasve shqiptarë, të lëshuara nga firma e kontraktuar nga shteti shqiptar, si dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me këtë çështje, duke synuar në sqarimin sa më të shpejtë dhe përfundimtar të problematikës së parashtruar nga ankuesit.

 

Pavarësisht referimit në dispozitat kushtetuese dhe ligjore, si dhe problematikës mjaft të mprehtë, kemi konstatuar me keqardhje se nuk ka patur asnjë reagim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.

 

Në përgjigje të shkresës tonë të përsëritur, ka patur një reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme, por duke qenë se nuk i ishin përgjjigjur kërkesave thelbësore të parashtruara nga ana jonë, u jemi drejtuar sërish me datë 31.07.2013. Ende sot nuk ka përgjigje për 5 pyetjet e ngritura nga Avokati i Popullit.

Nga qëndrimi zyrtar i shprehur në këtë shkresë, rezulton se Ministria e Punëve të Jashme është njohur zyrtarisht që në daten 21.06.2011 me Notën Verbale të Ambasadës të Republikës së Greqisë lidhur me emërtimet e lokaliteteve të saj gjeografike, duke vënë në dijeni shtetin shqiptar mbi mosnjohjen e dokumentave publikë të vendeve të treta, të cilat do të përmbanin emra gjeografikë të pasaktë.

Me aq sa kemi dijeni, pala shqiptare nuk ka paraqitur asnjë rezervë mbi këtë Notë Verbale.

Në rastin konkret, pala shqiptare duhet të kishte reflektuar dhe mbështetur qëndrimin e saj ndaj Notës Verbale, bazuar edhe në parimet kushtetuese, legjislacionin tonë të brendshëm dhe atë ndërkombëtar.

Përderisa nga ana e shteti shqiptar nuk janë shprehur rezerva dhe mbajtur qëndrime konkrete ndaj Notës Verbale, emërtimet e lokaliteteve gjeografike greke duhet të ishin administruar nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme, duke i pasqyruar edhe në mjetet e identifikimit dhe dokumentat e udhëtimit të lëshuara nga shteti shqiptar për shtetasit e vet që kanë lindur tashmë në shtetin grek[1].   

Njehsimi (standartizimi) i toponimeve në botë vendoset nga Grupi i Ekspertëve mbi Emrat Gjeografikë të Kombeve të Bashkuara. Standartizimi i toponimeve greke nisi në konferencën e 5-të të UNGEGN-së (Kanada, 1987) dhe vendimi më i fundit daton më 2000 (New York) në seancën e 20-të të UNGEGN-së. Ky vendim kushtëzon shkrimin e njëjtë të toponimeve greke në çdo dokument zyrtar vendas apo të huaj[2].

Ministria e Punëve të Jashme ka pohuar faktin se është ngritur grup ndër- institucional për diskutimin dhe zgjidhjen e këtij problemi, por ende nuk ka patur asnjë rezultat konkret për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje mjaft të rëndësishme, jo vetëm për bashkëkombësit tanë që jetojnë e punojnë në Greqi e për të afërmit e tyre në Shqipëri, por edhe për autoritetet e shtetit shqiptar, të cilët duhet të garantojnë dhe mbrojnë të drejtat dhe interesat e shtetasve të tyre. Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare duhet të garantojnë dhe sigurojnë shtetasit e tyre lidhur me rregullsinë dhe përmbushjen e standarteve ndërkombëtare për dokumentet e udhëtimit që ato lëshojnë, pasi një çështje e tillë nuk mund tu lihet bashkëkombësve tanë për tu zgjidhur rast pas rasti në pikat e kalimit kufitar.

 Avokati i Popullit, duke iu referuar trajtimit ndërkombëtar të toponimeve, ka konstatuar se shumë shtete kanë përpiluar dhe paraqitur pranë Grupit të Ekspertëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara apo Bordeve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare materialet referuese për standartizimin e gjuhës dhe emërtimeve të tyre. Mes tyre mund të përmendim edhe shtetin grek[3], i cili në aktet e tij të depozituara, parashtron specifikat e gjuhës së tij zyrtare dhe bën me dije autoritetet mbi përcaktimet dhe emërtimet e emrave të tij gjeografik.

Nga ana tjetër, Grupi i Ekspertëve të OKB (UNGEGN), i themeluar që në vitin 1960, duke trajtuar dhe vendosur standartet ndërkombëtare për emërtimin e përcaktimeve dhe emrave gjeografik, ka konsoliduar tashmë praktikën e tij ndërkombëtare në këtë fushë, përmes 10 Konferencave Ndërkombëtare[4] dhe Sesioneve të shumta që janë mbajtur me përfaqësues të shteteve të ndryshme, të cilët kanë parashtruar problematikat me të cilat ato përballeshin, dhe kanë diskutuar mbi zgjidhjet e mundshme që kishin, bazuar edhe në përvojat e shteteve të ndryshme apo edhe standartet e vendosura tashmë nga UNGEGN[5].

 

Nga ana tjetër, na ka rezultuar se shumë shtete europiane kanë të ngritura dhe konsoliduara tashmë autoritetet e tyre kombëtare për përcaktimin dhe standartizimin e emrave të tyre gjeografik[6].

Lidhur me këtë standart të arritur tashmë nga shumë vende të botës[7], nuk rezulton që në Shqipëri të jetë ngritur e konsoliduar një autoritet shtetëror, i cili në bashkëpunim edhe me organizatat ndërkombëtare, të ndërmarrë procedurat e azhornimit dhe standartizimit të toponimeve shqiptare në nivel ndërkombëtar.

 

Në rastin konkret, një përfaqësi e shtetit shqiptar në UNGEGN, do të mund të elaboronte problematikën e toponimeve greke në dokumentat shqiptare, duke u njohur me standartet ndërkombëtare të vendosura, si dhe implementimin e tyre në nivel kombëtar, në Ministrinë e Punëve të Jashtme si dhe Ministrinë e Brendshme, si autoriteti që administron regjistrin e gjendjes civile dhe lëshon mjetet e identifikimit dhe dokumentat e udhëtimit për shtetasit shqiptarë.    

 

Lidhur me toponimet shqiptare, institucioni i Avokatit të Popullit nuk është njohur ende lidhur me standartizimin e emërtimeve të lokaliteteve tona gjeografike si dhe azhornimin e tyre në hartat dhe aktet e ndryshme ndërkombëtare. Nga verifikimi i faqeve web të institucioneve dhe organizmave ndërkombëtare në këtë fushë, nuk rezulton që shteti shqiptar të ketë depozituar udhërrëfyesit e toponimeve të tij, apo të ketë standartizuar së fundmi emërtimet e lokaliteteve shqiptare, duke ia bërë të njohura shteteve, institucioneve apo organizatave ndërkombëtare, ashtu siç ka vepruar së fundmi shteti grek me depozitimin e Udhërrëfyesit të saj në dhjetor 2012 pranë United States Board on Geographic Names.

 

Problemi i toponimeve greke në dokumentet e udhëtimit të shtetasve shqiptar dhe zgjidhja e tij e menjëhershme janë çështje që duhet të shqetësojnë dhe angazhojnë çdo strukturë të shtetit shqiptar.

 

Në rastin konkret, barra bie mbi Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila duhet të kishte negociuar me kohë me shtetin grek për gjetjen e një zgjidhje të përhershme për problemin e toponimeve greke në dokumentat e udhëtimit të shtetasve shqiptar. Kjo çështje nuk mund të ketë marrëveshje të përkohshme për periudha të caktuara kohore për raste festash apo zgjedhjesh. Shtetasit shqiptar që jetojnë e punojnë në shtetin grek duhet të ndihen të lirë për të lëvizur dhe kaluar kufirin në çdo kohë dhe pa patur pengesa burokratike, për çështje të karakterit politik dhe teknik, të cilat duhet të diskutohen, qartësohen dhe vendosen përfundimisht nga autoritet shqiptare, në bashkëpunim dhe përputhje edhe me ato greke, duke respektuar standartet ndërkombëtare.

 

Lidhur me lëshimin e mjeteve të identifikimit dhe dokumentave të udhëtimit, me të cilat shtetasit shqiptarë po hasin pengesa në pikat e kalimit kufitar me shtetin grek, pikërisht për shkak të shkrimit të gabuar të toponimeve greke, Avokati i Popullit gjykon se autoritetet shqiptare, gjatë negociatave të tyre me autoritetet shtetërore greke, duhet të synojnë fillimisht arritjen e një marrëveshje të përbashkët lidhur me vlefshmërinë e mjeteve aktuale të identifikimit, deri në momentin e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së shkrimit të toponimeve greke në dokumentat shqiptare.

 

Ato kanë një kosto financiare për shtetasit shqiptarë, dhe këtë kosto, në rast të zëvendësimit të këtyre dokumentave, në asnjë mënyrë apo rrethanë nuk duhet ta paguajnë sërish qytetarët, të cilët janë pajisur tashmë me këto mjete identifikimi dhe dokumenta udhëtimi, mbi bazën e të dhënave të gjendjes civile që administrohet nga Ministria e Brendshme, por duhet përballuar nga shteti shqiptar.

 

Në këtë kuadër, Ministria e Brendshme është autoriteti shtetëror i cili duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e veta dhe të ushtrojë funksionet dhe kompetencat që i janë ngarkuar me ligj, me qëllim të respektimit të kritereve ligjore dhe standarteve ndërkombëtare për pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumenta udhëtimi[8].

 Neni 1 pika 2 e Ligjit nr. 8668 datë 23.10.2000, i ndryshuar, parashikon se:

Pasaporta për jashtë shtetit është një dokument me shkallë të lartë sigurie, në përputhje me konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, detyrim i cili siç konstatohet, nuk është respektuar nga ana e Ministrisë së Brendshme në rastin e lëshimit të këtyre pasaportave për shtetasit shqiptarë që jetojnë e banojnë në shtetin grek. Për shtetasit shqiptarë, me banim jashtë shtetit, duhet të veprohet sipas rregullave të caktuara nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme[9].

Në një perspektivë më të gjerë, problemi i toponimeve të huaja duhet verifikuar dhe shqyrtuar me kujdes dhe vëmendje të veçantë edhe në raport me shtetet e tjera, kryesisht me ato vende ku jetojnë dhe banojnë prej vitesh shtetas shqiptarë, me qëllim që të mund të shmangen situata të tilla, të cilat po kushtëzojnë dhe minimizojnë lëvizjet e bashkëkombësve tanë drejt atdheut të tyre.   

Në këtë aspekt, gjykojmë të rëndësishme edhe rregullimin dhe standartizimin e karaktereve të veçanta të alfabetit shqip, për të shmangur dublimin e tyre me bashkëtingëllore apo zanore të tjera të veçanta. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për saktësimin dhe plotësimin e bazës së të dhënave të gjendjes civile, për t’ia vënë pastaj në dispozicion firmës private të kontraktuar për prodhimin e mjeteve të identifikimit dhe dokumentave të udhëtimit të shtetasve shqiptar.

 

Shteti shqiptar duhet të kujdeset dhe angazhohet në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shtetasve të tij që jetojnë jo vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, por edhe jashtë saj[10].

Nga ana tjetër, në akordancë me pikën 2, të nenit 15, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre dhe jo të bëhen shkak me mosveprimin e tyre në vazhdimin e shkeljes dhe mosrespektimit të këtyre të drejtave.

 Kërkojmë nga ana Juaj që në frymën e respektimit të ligjit dhe të drejtave e interesave të ligjshme të të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në territorin e shtetit grek dhe që janë prekur nga problematika e parashtruar më sipër, të vlerësoni në mënyrë maksimale dhe serioze të gjitha shqetësimet e ngritura nga institucioni i Avokatit të Popullit dhe të ushtroni autoritetin Tuaj me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të përbashkët e përhershme me palën greke.

Për sa më sipër, në mbështetje të pikës 3 të nenit 63 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 21/b të Ligjit Nr.8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”;

“Pas përfundimit të hetimeve, Avokati i Popullit……,

- paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ që, sipas tij, ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive”,

 

 R E K O M A N D O J M Ë:

 Marrjen e masave urgjente për negocimin dhe zgjidhjen konkrete dhe përfundimtare të problemit të shkrimit të toponimeve greke në dokumentat e udhëtimit të shtetasve shqiptarë.

Administrimin dhe pasqyrimin e lokaliteteve gjeografike greke, sipas Notës Verbale të Ambasadës të Republikës së Greqisë, në bazën e të dhënave të gjendjes civile të shtetasve shqiptarë.

Arritjen e një Marrëveshje të përbashkët lidhur me vlefshmërinë e dokumentave aktuale të udhëtimit.

Ngritjen dhe konsolidimin e një Autoriteti Kombëtar për standartizimin e emërtimeve të lokaliteteve shqiptare gjeografike dhe hartimin e Udhërrëfyesve të toponimeve shqiptare për përdorim ndërkombëtar.

Përballimin nga shteti shqiptar të shpenzimeve financiare, në rast të korrigjimit apo zëvendësimit të dokumentave shqiptare të udhëtimit, të cilat në asnjë mënyrë apo rrethanë nuk duhet tu ngarkohen qytetarëve shqiptarë.

Plotësimin në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, i pikave të veçanta të pasaportave tip shqiptare, duke përfshirë edhe vendin e lindjes.

Zgjidhjen e problemit të drejtshkrimit në gjuhën shqipe të emrave dhe toponimeve shqiptare, duke u fokusuar kryesisht në mungesën e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve të veçanta, të cilat nuk pasqyrohen aktualisht në  dokumentat shqiptare të udhëtimit.

Gjykojmë se referimi i saktë dhe zbatimi rigoroz i parashikimeve ligjore, sikurse edhe në këto raste, rrit efektivitetin në punë të autoriteteve shqiptare, shmang zvarritjen e mëtejshme të shtetasve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar, si dhe krijon besueshmërinë e organeve të administratës publike në sytë e njerëzve të thjeshtë që presin respektimin e lirive dhe të drejtave të tyre legjitime.

Në përputhje me nenin 22, të Ligjit Nr.8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar me Ligjin Nr.9398 dt.12.05.2005, ku thuhet se:

“Organet të cilave Avokati i Popullit u ka drejtuar një rekomandim, kërkesë apo propozim për shkarkim, duhet ta shqyrtojnë rekomandimin, kërkesën apo propozimin për shkarkim dhe të kthejnë përgjigje brenda 30 ditësh nga data e dërgimit të rekomandimit, kërkesës apo propozimit për shkarkim.

Përgjigja duhet të përmbajë shpjegime të arsyetuara për çështjen në fjalë, si dhe çfarë veprimesh, mosveprimesh apo masash ka ndërmarrë ai organ”,

kërkojmë të vihemi në dijeni brenda afatit 30 ditor për qëndrimin tuaj, ndaj këtij rekomandimi.

Duke besuar në mirëkuptimin Tuaj,

 

                                                                                                 Me respekt   

                                                                                AVOKATI  I  POPULLIT

                                                                                                    Igli TOTOZANI