Georgievski: Maqedonasit duhet të mësohen të bashkëjetojnë me shqiptarët

Ish-kryeministri dhe lideri i VMRO-Partia Popullore, Lubço Georgievski ka theksuar se maqedonasit patjetër duhet të mësohen të bashkëjetojnë me shqiptarët.Ai këtë e ka theksuar në një intervistë për “Evropa e Lirë” duke folur për marrëdhëniet ndëretnike dhe idenë e tij të vjetër për shkëmbim territoresh midis shqiptarëve dhe maqedonasve.“Tashmë nuk ka projekt për shkëmbim të territoreve. Tani mësoni gjuhën shqipe nëse dëshironi që të keni ardhmëri në Maqedoni. Këtë e flas disa herë, dhe këtë e them edhe në mënyrë simbolike, sepse besoj se është realitet. Mendoj se një nga handikepet më të mëdha të popullit maqedonas në këtë shtet të përbashkët është se shqiptarët e dinë gjuhën tonë, ndërsa ne nuk dimë gjuhën e tyre. Ky është realiteti. Ne duhet të mësohemi që të jetojmë me shqiptarët, ne patjetër të sillemi më tolerantë, ne patjetër duhet të dimë se çdo përmendore e ndërtuar sipas një rrëfimi të rrejshëm iriton shqiptarët dhe për fat të keq ky iritim s`ka të bëjë vetëm me shqiptarët”, theksoi ish-kryeministri Georgievski, i cili tashmë është pjesë e koalicionit të gjerë opozitar me Lidhjen Social demokrate në Maqedoni.Sipas tij, maqedonasit kanë humbur komunitetet si maqedonasit mysliman dhe torbeshët në momentin kur filluan të rrëfejnë përralla për Maqedoninë antike, sepse edhe ata u gjetën të fyer në ato rrëfime. “Mendoj se dalngadal do të humbasin të gjitha bashkësitë etnike minore, duke rrëfyer të kaluarën tonë përmes përrallave të famshme, duke mos shikuar se demografia po na shkrin si popull dhe si komb. Unë mendoj se ne po jetojmë në një hipnozë dhe sa më shpejt të zgjohemi nga ajo hipnozë do të ishte më mirë”, ka theksuar Georgievski.I pyetur se a mendon se në stabilitetin e përgjithshëm në Maqedoni do të ndikonte tejmase, inkuadrimi i një partie shqiptare në koalicionin e përgjithshëm parazgjedhor opozitar, lideri i VMRO-Popullore deklaroi se absolutisht do të ishte në të mirë dhe se koalicioni i përgjithshëm opozitar po punon në këtë drejtim për të krijuar një imazh të ri.“Për ne do të ishte ideale të hyjë një parti shqiptare në bllokun tonë, për të demonstruar një realitet të ri demokratik dhe multietnik në Maqedoni. Këto tentime nga ana jonë akoma nuk janë mbyllur dhe ne po bëjmë përpjekje që kjo të realizohet. Besoni nëse kjo nuk ndodhë, ne nuk do të jemi fajtor, për shkak toleranca jonë në këtë drejtim është shumë e madhe”, deklaroi Lubço Georgievski.Ai ka theksuar se di shumë gjëra personale për krerët aktual të VMRO-DPMNE dhe kryeministrit Nikolla Gruevski dhe se nuk dëshiron të ngacmohet në këtë drejtim. Sipas tij, nëse do të ketë ndonjë tentim kundër tij, atëherë ai do të kundërpërgjigjet.