Dialogu politik me Serbinë, trupat kordinuese mbeten vetëm ide
Trupa koordinuese për dialogun politik me Serbinë, e ku parashihet të përfshihen edhe përfaqësues të subjekteve opozitare, por edhe shoqëria civile, ende ka statusin e idesë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Qeveria s’mund ta bëjë në mënyrë të njëanshme atë.“Ende është në formë të idesë, të cilën po mundohemi ta harmonizojmë. Nuk do ta bëjmë idenë me imponim, por me bashkëpunim me të gjitha partitë politike, e në veçanti me ato që janë mbështetëse të dialogut”, ka thënë Kuçi. “E shihni që kemi takime gati të rregullta dhe idenë e kemi prezantuar dhe diskutuar”.Kuçi e ka pasur fjalën për takime me subjektet opozitare, LDK dhe AAK, të cilat e kanë mbështetur një rezolutë në Kuvend, mbi bazën e së cilës ka nisur dialogu i karakterit politik me Serbinë.Në kuadër të tij janë paraparë një listë e gjerë temash, e disa nga të cilat janë ato të bartura nga dialogu i karakterit teknik, i pezulluar muaj më parë. Rezoluta autorizon përfshirjen në dialog edhe të komisioneve parlamentare, në të cilat janë të përfshira të gjitha subjektet politike pjesë e Kuvendit.