Sot mbahet takimi i parë për MSA-në me Kosovën

Sot do të mbahet takimi i parë përgatitor për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për Kosovën.Ministrja e Integrimit Evropian e Kosovës, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se procesi i MSA-së do të rezultojë me sukses për shtetin e Kosovës.Në këtë kontekst, ajo ka thënë se institucionet e vendit do t’i përmbushin kriteret e nevojshme, në mënyrë që negociatat për MSA-në të fillojnë në vjeshtë dhe të përfundojnë në pranverën e vitit të ardhshëm.“Takimi i sotsëm është në vazhdën e përgatitjeve që kemi bërë tani e disa muaj. Është takim përgatitor për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Siç edhe e ka konfirmuar komisioneri Fyle, presim që negociatat të fillojnë në vjeshtë dhe të përmbyllen në pranverë të vitit të ardhshëm”, ka thënë Çitaku.Ajo ka treguar se deri më tani është bërë vlerësimi i përafrimit të legjislacionit dhe trajnimi i stafit që do të negociojë për MSA-në.“Tashmë kemi krijuar ekipin negociator dhe kemi bërë vlerësimin e përafrimit të legjislacionit dhe ndikimit të marrëveshjes tregtare si pjesë esenciale e MSA-së, si dhe është bërë trajnimi i stafit që do të negociojë për MSA-në”, është shprehur Çitaku.Po ashtu, ministrja Çitaku ka thënë se rol të rëndësishëm në procesin e negociatave për MSA-në, përveç Ministrisë së Integrimit Evropian, kanë edhe ministritë e tjera.“Ekipi negociator udhëhiqet nga Ministria e Integrimit Evropian, kurse pjesë e saj janë edhe ministritë relevante në këtë proces. Rol të rëndësishëm kanë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe ministritë e tjera”, ka deklaruar Çitaku.