S`pranohet nisma e Shkupit për emrin sipas modelit Prishtinë-Beograd
Në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, pala maqedonase kërkon ndryshimin e formës së bisedimeve.Kryeministri Nikolla Gruevski kohë më parë kërkoi modelin e bisedimeve Prishtinë- Beograd si më të favorshëm për zgjidhjen e këtij kontesti shumëvjeçar.Mirëpo njohësit e zhvillimeve politike dhe organizatat joqeveritare, nismat e tilla që vijnë nga Gruevski i komentojnë si të paqëndrueshme dhe jo serioze.Nga Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) thonë se përkrahin çfarëdo lloj formati të bisedimeve të cilat kontribuojnë në tejkalimin e kontestit disavjeçar mes Athinës dhe Shkupit, mirëpo deklaratat e Gruevskit i shohin me një prapavijë të errët.“Ftesa e kryeministrit të Maqedonisë për bisedime me homologun e tij grek rreth çështjes së emrit ka një prapavijë dhe një qëllim, për të filluar një proces negociator, i cili do të zgjasë me vite, derisa sa vendi të anëtarësohet në NATO dhe BE me parashtesë FYROM. Pasi të arrihet marrëveshja, e njëjta do të vendoset në referendum, ku Greqia do të gjendej para një akti të kryer”, vlerëson OBRIE.Ndërkaq profesori universitar, Nano Ruzhin thotë se, pala grekenuk do të pranojë ndryshimin e formatit të bisedimeve.Sipas tij, kontestet ballkanike janë me karaktere të ndryshme dhe secilit kontest i nevojitet modul në vete.“I frymëzuar nga komunikimi i nivelit të lartë mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë Gruevski dëshiron të tregojë se është i interesuar ta zgjidh kontestin e emrit. Realisht veprimet e deritanishme të tij, ofendimet dhe fjalimet, janë vetëm hapa të gabuara dhe sjellje jo diplomatike ndaj shtetit fqinj. Faktikisht kryeministri, nëse mund ta them paguan për fjalët boshe ndaj fqinjit jugor dhe bashkësisë ndërkombëtare. Nëse dëshiron të takohet me Samarasin, së pari kryeministri duhet të dëshmojë vullnet politik” është shprehur Ruzhin.