Thaçi fton veriorët të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar se janë duke u diskutuar mundësitë e fundit dhe hapësirat e nevojshme dhe të domosdoshme që është edhe në përputhshmëri me marrëveshjen e 19 prillit, për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, pra në të njëjtën ditë, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.Ai këto komente i bëri në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur ditën e mërkurë, ku me këtë rast u ka bërë thirrje të gjithë qyetarëve serb të veriut që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.Shefi i ekzekutivit të vendit ka shprehur besimin e plotë se zgjedhjet do të jenë fer, të lira, demokratike, të konkurrencës së lirë.Gjithashtu ai ka thënë se për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka dërguar një ftesë Baroneshës, Catherine Ashton që të dërgoj një ekip të vëzhguesve, në mënyrë që të ketë një proces të vëzhguar nga afër.Komisioni Qendror Zgjedhor është duke kryer punët e veta, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës do të kryej të gjitha obligimet që ka ndaj këtij procesi.I pari i ekzekutivit të vendit ka ftuar edhe njëherë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për pjesëmarrje sa më masive në zgjedhje më 3 nëntor. Po ashtu ai ka thënë se është mirë që të gjitha partitë politike kanë filluar përgatitjet, duke përfshirë edhe ato parti dhe kandidat të pavarur në veri të vendit.“Në emër të Qeverisë së Kosovës, edhe njëherë sot i ftoj të gjithë njerëzit, edhe në veri të Mitrovicës, qytetarët serb, që t’i bashkëngjiten projektit për rend demokratik, demokraci, për pluralizëm demokratik, për konkurrencë , për një konkurrencë të lirë, të vizioneve të ndryshme, për Kosovën e re, për Kosovën evropiane. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje është një mundësi e re, është një garanci e përbashkët se do ta ndërtojmë Kosovën tonë bashkërisht”, ka deklaruar Thaçi.Për më tepër ai ka thënë se procesi i implementimit të marrëveshjes së 19 prilli po zbatohet, duke përfshirë edhe procesin e IBM-it.“Siç edhe jeni të informuar, procesi i implementimit të marrëveshjes së 19 prillit në mes të shtetit të Kosovë dhe Serbisë është duke vazhduar. Ekipet teknike dhe profesionale janë duke zhvilluar takime të reja në Bruksel, në veçanti është në përmbyllje e sipër i gjithë procesi i IBM-it, gjë që nënkupton edhe fillimin e ndërtimit të objekteve moderne në pikat kufitare në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, pra në gjashtë pikat kufitare”, është shprehur ai.Thaçi ka shtuar se mbulimin financiar të këtyre pikave do ta bëj Komisioni Evropian, gjë që është në përputhshmëri me marrëveshjet e arritura më herët. Nderkaq në mbledhjen e kabinetit qeveritar është miratuar Projekt-rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.Gjithashtu është miratuar Strategjia për cilësinë e ajrit për vitin 2013-2022 dhe plani i veprimit për vitin 2013-2017. Ndërkohë është shtyrë për javën e ardhshme propozim-vendimi për negocimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe shtetit të Katarit lidhur me rregullimin e punësimit të fuqisë punëtore në këtë shtet.Ekzekutivi i vendit ka miratuar propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e planit të dokumenteve strategjike për vitin 2013 dhe propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për mbështetjen e projektit të Brezovicës.