“Rojet private s’mund të bëjnë ligjin”/ Lamallari: Dh*na në Zvërnec e pajustifikueshme, nën hetim edhe zinxhiri i Policisë
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur në Zvërnec, ku disa qytetarë u përfshinë në një konflikt me roje private në një pronë pranë zonës bregdetare.
Lamallari sqaroi se projekti në Zvërnec lidhet me një pronë private, e cila sipas tij është kthyer dhe regjistruar në emër të pronarëve vite më parë. Ai nënvizoi se qeveria nuk ka falur dhe nuk ka dhënë tokë për këtë projekt.
"Projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private. Qeveria shqiptare as ka falur tokë dhe as ka tokë për të falur. Kjo pronë është kthyer dhe regjistruar në hipotekë shumë vite përpara se ne të vinim në qeveri."-tha ai.
Ministri u ndal edhe te veprimet e rojeve private, duke kujtuar se askush nuk ka të drejtë të përdorë forcë ndaj qytetarëve.
"Nëse prona është private, rojet private nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt. Individët përgjegjës duhet të përballen me ligjin, ndërsa hetimi administrativ ndaj kompanisë duhet të përfundojë sa më shpejt."-u shpreh ministri.
Lamallari vlerësoi masat e marra nga Policia e Shtetit pas ngjarjes, përfshirë pezullimin e disa drejtuesve vendorë dhe nisjen e verifikimeve për zinxhirin komandues.
"Nuk ishte problem vetëm sjellja e rojeve private. Shqetësuese ishte edhe mungesa e reagimit të duhur nga policia e pranishme në vendngjarje."-tha Lamallari.
Sipas ministrit, kontrollet dhe verifikimet brenda strukturave të Policisë së Shtetit do të vijojnë, me synimin për të garantuar respektimin e ligjit dhe forcimin e besimit të qytetarëve te uniforma blu.
"Policia duhet të jetë gjithmonë garantuese e rendit ligjor dhe e sigurisë së qytetarëve. Çdo devijim nga ky mision do të trajtohet me përgjegjësi dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore."-shtoi ai.
DEKLARATA:
1. Projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private dhe qeveria shqiptare as ka falur tokë, as ka tokë për të falur - jo vetëm sepse ne nuk i kemi falur ndonjëherë tokë askujt, po edhe sepse në këtë rast ajo pronë u është kthyer pronarëve dhe është regjistruar në hipotekë, vite përpara sesa ne të vinim në qeveri.
2. Po nëse prona është private, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt dhe jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, siç po ndiqen po edhe për kompaninë e tyre hetimi administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar, duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur.
3. E përshëndes reagimin e shpejtë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe vënien nën hetim të zinxhirit të komandimit, sepse nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, po edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend.
Goditja brenda radhëve të Policisë së Shtetit, që nisi në Sarandë dhe ka vazhduar në Vlorë, do të jetë një konstante e punës së strukturave tona në këtë kapitull të ri të drejtimit të tyre. Uniformat blu janë dhe duhet të jenë në çdo rast, garante të rendit ligjor, ku mbrojtja e pronës publike apo private janë një pjesë thelbësore. Por po ashtu ato duhet të garantojnë edhe pacënueshmërinë e besimit të qytetarëve tek uniforma e policisë, prandaj çdo devijim nga këto parime do të goditet përmes bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave drejtuese të policisë dhe të Agjencisë së Mbikqyrjes Policor

