"Rritja e çmimeve, e pamundur jetesa për të rinjtë"/ Balliu në Kuvendin Kombëtar: Deformim i tregut të banesave në Shqipëri

Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka marrë fjalën deputeti Klevis Balliu, i cili u ndal te situata ekonomike në vend dhe te ajo që opozita e konsideron si krizë të thellë sociale dhe institucionale.

Ai foli për rritjen e çmimeve të banesave, emigrimin e të rinjve dhe gjendjen e ekonomisë, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe ndikim të krimit të organizuar në disa sektorë.

“Sot të rinjtë shqiptarë nuk mund të blejnë një apartament, sepse çmimet janë rritur ndjeshëm. Kjo lidhet me pastrimin e parave në ndërtim dhe me korrupsionin që ka ndikuar në ekonomi.”-u shpreh ai.

Balliu u ndal edhe te gjendja e buxhetit të shtetit dhe shërbimet publike, duke përmendur mungesën e rritjes së pensioneve dhe pagave sipas tij.

“Për shkak të aferave korruptive janë krijuar gropa në buxhet, dhe kjo nuk lejon rritjen e pensioneve dhe pagave, ndërsa qytetarët përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve.”-shtoi deputeti.

Ai ngriti akuza edhe për pasurinë e zyrtarëve të lartë dhe për projektet publike, duke i cilësuar si problematike për ekonominë e vendit.

Balliu bëri thirrje për protestë dhe angazhim politik të opozitës dhe qytetarëve, duke theksuar se sipas tij institucionet nuk funksionojnë në mënyrë të pavarur.