"Plaga më e madhe e vendit është humbja e besimit"/ Tabaku në Kuvendin Kombëtar: Emigrimi i të rinjve po zbrazin Shqipërinë
Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka marrë fjalën deputetja Jorida Tabaku, e cila iu drejtua mbështetësve të pranishëm me një mesazh të gjatë mbi situatën politike dhe sociale në vend.
Ajo vuri theksin te problemet që sipas saj po përball Shqipërinë, duke nisur nga emigrimi i të rinjve, korrupsioni dhe mungesa e besimit te institucionet.
“Ju keni qëndruar kur çdo ditë keni parë padrejtësinë të shpërblehet. Keni qëndruar kur ndershmëria shihej si dobësi. Keni qëndruar kur të rinjtë largoheshin dhe prindërit mbeteshin me boshllëkun e tyre. Ju jeni dëshmi që dinjiteti nuk shitet dhe bindja nuk vdes.”-tha ajo.
Tabaku foli edhe për atë që e cilësoi si humbje të besimit te qytetarët, duke përmendur largimin e të rinjve, vështirësitë e familjeve dhe problemet në ekonomi.
“Plaga më e madhe sot është humbja e besimit. Shumë nuk besojnë më se puna e ndershme shpërblehet, nuk besojnë se mund të ecësh përpara pa lidhje, dhe kur nuk beson ose largohesh, ose hesht.”-u shpreh deputetja.
Në vijim, ajo ngriti shqetësime për mënyrën se si funksionon ekonomia dhe administrata, duke përmendur sipërmarrësit, familjet dhe të rinjtë që largohen nga vendi.
Tabaku bëri thirrje për bashkim dhe për një qasje të re politike, ku sipas saj vendi duhet të bazohet në meritë, punë dhe ndershmëri, përtej ndarjeve politike.
