"Nga sot nis rruga për një parti fituese"/ Zhupa: PD duhet të lërë pas rezistencën dhe të synojë pushtetin
Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka marrë fjalën deputetja Ina Zhupa, e cila u ndal te sfidat që ka kaluar partia në vitet e fundit dhe drejtimi që duhet të marrë në të ardhmen.
Ajo foli për periudhën e vështirë të opozitës dhe nevojën që Partia Demokratike të kalojë nga faza e rezistencës në një fazë ku synon të bëhet alternativë qeverisëse.
“Partia Demokratike ka kaluar sfida të mëdha në këto katër vite, por ia dolëm falë qëndresës dhe besimit tuaj. Sot sfida është më e madhe: të mos jemi vetëm një parti që reziston, por një parti që fiton.”-tha deputetja.
Zhupa u ndal edhe te nevoja për modernizimin e partisë dhe përshtatjen me realitetin e ri politik dhe shoqëror.
“PD duhet të përshtatet me realitetin e ri, me teknologjinë, ekonominë dhe pritshmëritë e brezit të ri. Duhet të jetë pasqyrë e shoqërisë shqiptare.”-Zhupa.
Ajo vlerësoi rritjen e përfaqësimit të grave dhe të rinjve në strukturat e partisë, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm për forcimin e organizatës.
“Rritja e kuotës për gratë dhe përfshirja e të rinjve është një hap i mirë, por duhet të shkojmë më tej. Një parti moderne forcohet nga përfaqësimi.”-u shpreh ajo.
Zhupa u ndal te nevoja për hapje ndaj qytetarëve dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e kandidatëve përbashkues dhe të besueshëm në terren.

