RIORGANIZIMI I AKSHI-t/ Rama: "Albanian Digital Solutions", administrata e re digjitale. Mbi 1,200 shërbime publike përmes e-Albania
Kryeministri Edi Rama në podcastin “Flasim”, ku u ndal te zhvillimet më të fundit në fushën e transformimit digjital të administratës publike dhe krijimin e kompanisë së re shtetërore “Albanian Digital Solutions”.
Ai foli për kalimin në një fazë të re të qeverisjes elektronike, pas dixhitalizimit të mbi 1200 shërbimeve publike që ofrohen përmes platformës e-Albania.
“Me krijimin e Albanian Digital Solutions po hyjmë në një etapë të re të transformimit digjital të shtetit.”-tha ai.
“Pas ndërtimit të platformave dhe dixhitalizimit të mbi 1200 shërbimeve publike, kemi mundësinë të kalojmë në një nivel tjetër të qeverisjes elektronike.”-shtoi Rama.
Kompania e re publike, sipas tij, synon të shërbejë si qendër ekselence për talentet shqiptare në teknologji dhe të mbështesë inovacionin në shërbimet publike dhe administrim.
Gjithashtu ai përmendi edhe rritja e interesit për programet e inovacionit, ku vetëm në ciklin e fundit të “Startup Albania” janë regjistruar mbi 1100 aplikime.
“Programet e inovacionit tregojnë se Shqipëria ka hyrë në hartën e inovacionit, por kemi nevojë të shkojmë më tej si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.”-nënvizoi ai.
Rama u ndal edhe te riorganizimi i AKSHI-t, duke sqaruar ndarjen e re të funksioneve në administrimin e sistemeve digjitale.
“AKSHI do të ketë rol drejtues dhe monitorues të cilësisë, ndërsa Albanian Digital Solutions do të jetë struktura që zhvillon zgjidhjet teknologjike dhe garanton mirëmbajtjen e sistemeve.”-theksoi Kryeministri.
Ai shtoi se qëllimi kryesor mbetet forcimi i kapaciteteve teknologjike në shërbim të një qeverisjeje më efikase dhe më të digjitalizuar.


