DH*NA GANGSTERE NDAJ PROTESTUESIT NË ZVËRNEC/ Deputetja socialiste: Personat e maskuar janë njollë për shtetin e së drejtës
Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë protestës në Zvërnec, ku disa protestues u përplasën me roje private të kompanisë që po ndërton një resort turistik në zonë.
Përmes një reagimi publik, Çakërri e cilësoi të papranueshme dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve, ndërsa pamjet e publikuara, ku një protestues shihet duke u tërhequr zvarrë, kanë shkaktuar reagime të shumta.
Sipas saj, përdorimi i forcës nga persona të maskuar nuk përputhet me standardet e një shoqërie demokratike dhe dëmton besimin te shteti i së drejtës.
Ajo vlerësoi se ruajtja e rendit publik është përgjegjësi e institucioneve ligjzbatuese dhe nuk mund të ushtrohet nga individë apo grupe të tjera.
Deputetja u shpreh se Shqipëria ka nevojë për investime dhe zhvillim ekonomik, por çdo projekt duhet të ecë përpara duke respektuar ligjin dhe procedurat e përcaktuara.
Çakërri përmendi gjithashtu reagimin e Policisë së Shtetit dhe procedimin e disa rojeve private të përfshira në ngjarje, duke e konsideruar këtë një sinjal se askush nuk është mbi ligjin.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë gjatë protestës kundër ndërtimit të një resorti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Kundërshtimet ndaj projektit janë shoqëruar edhe nga organizata të shoqërisë civile, të cilat argumentojnë se ndërtimet në këtë zonë mund të dëmtojnë ekosistemin, florën dhe faunën e saj.

