Antonio Costa nis vizitat në 6 vende të Ballkanit Perëndimor, Tirana në agjendën kryesore: Momenti është tani
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të zhvillojë këtë javë një vizitë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të përgatitjeve për Samitin BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivar të Malit të Zi.
Gjatë vizitës së tij, ai do të takohet me liderët e rajonit dhe do të marrë pjesë në takime të nivelit të lartë që lidhen me procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Para nisjes së turit, Costa ka bërë një reagim në rrjetet sociale, ku ka theksuar se angazhimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është real dhe se momenti për të avancuar në procesin e zgjerimit është tani.
Vizita e tij nis më 1 qershor në Sarajevë, ku janë parashikuar takime me përfaqësuesit e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe kryeministren e Këshillit të Ministrave.
Më 2 qershor, Costa do të qëndrojë në Tiranë, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj, si dhe do të zhvillojë një takim me studentë në Kampusin e Kolegjit të Evropës.
Më pas, ai do të udhëtojë në Shkup për takime me drejtuesit e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndërsa më 3 qershor do të vizitojë Prishtinën, ku janë planifikuar takime me krerët e institucioneve dhe përfaqësues të partive politike.
Turi rajonal vijon më 4 qershor në Beograd, me takime me presidentin e Serbisë, kryetaren e parlamentit dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Vizita përmbyllet në Mal të Zi, ku në Tivar do të mbahet një darkë zyrtare me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë së vendit, ndërsa më 5 qershor Costa do të bashkëdrejtojë Samitin BE–Ballkani Perëndimor së bashku me drejtues të Komisionit Evropian.

