"Opozita u tentua të kthehej në dekor institucional"/ Këlliçi: PD u përball me kufizime në zgjedhje, por nuk u tërhoq

Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka marrë fjalën deputeti Belind Këlliçi, i cili ka folur për situatën politike në vend dhe proceset zgjedhore të viteve të fundit.

Ai u ndal te mënyra se si, sipas tij, është ndërtuar sistemi politik dhe zgjedhor në Shqipëri, si dhe për rolin e opozitës në këtë proces.

“Synimi ishte që opozita të shndërrohej në një dekor institucional, ndërsa rezultati të prodhohej nga patronazhimi, frika dhe paratë e pista. U investua shumë që Partia Demokratike të kthehej në një opozitë simbolike, të padëmshme.”-u shpreh deputeti demokrat.

Këlliçi foli edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2023, duke i cilësuar si një proces të vështirë për opozitën, e cila sipas tij garoi në kushte të pabarabarta.

“Zgjedhjet lokale të vitit 2023 u zhvilluan pa vulë, pa logo, pa financa dhe me shumë kufizime. Megjithatë, ne vendosëm të mos dorëzohemi dhe të vazhdojmë garën.”-tha Këlliçi.

Ai përmendi edhe garën për Bashkinë e Tiranës, ku tha se opozita u përball me një makineri të fortë elektorale dhe se qytetarët që e mbështetën u shprehën kundër modelit qeverisës.

Këlliçi u ndal te angazhimi ndërkombëtar, duke thënë se përfaqësues të opozitës kanë informuar partnerët e huaj mbi proceset zgjedhore në vend dhe sipas tij, situata në Shqipëri po ndiqet nga afër.