Nga anëtarësimi në NATO te lëvizja pa viza në Europë/ Djali i Azem Hajdarit rikujton ndryshimet nën qeverisjen e PD-së
Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka marrë fjalën djali i Azem Hajdarit, i cili u ndal te zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, si dhe te roli i opozitës ndër vite.
Ai foli për ndryshimet që ka kaluar Shqipëria, duke përmendur periudhën e tranzicionit, anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen e lirë në Evropë pa viza, si arritje të rëndësishme për qytetarët.
“Shqipëria u mor në një situatë të vështirë dhe u ndërtua një shtet i ri. U bë anëtarësimi në NATO, që sot na jep siguri. Lëvizja pa viza në Evropë është një tjetër arritje që shpesh merret si e mirëqenë, por dikur ishte e pamundur.”-tha i biri i Azem Hajdarit.
Ai u ndal edhe te gjendja aktuale ekonomike, duke përmendur ndërtimet në qytete dhe mënyrën e funksionimit të tregut.
“Kullat që shohim sot nuk janë gjithmonë qendra biznesi apo banimi. Ka një situatë që krijon dyshime për burimin e parave dhe mënyrën si po zhvillohet ekonomia. Ndërkohë, për shumë qytetarë është bërë e vështirë të hapin një biznes të vogël për shkak të burokracisë.”-shtoi ai.
Hajdari vlerësoi organizimin e Kuvendit të Partisë Demokratike, duke e cilësuar si një strukturim më të qartë dhe me përfshirje të të rinjve.
