“Shteti nuk negociohet” – Deputeti i PS-së reagon për “Zvërnecin”: Nuk mund të ketë privatizim të forcës dhe as zëvendësim të institucioneve nga individë apo struktura private
Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Ardit Bido, ka reaguar ashpër për ngjarjen e sotme në Zvërnec.
“Ngjarja e sotme me persona të maskuar dhe roje private që përplasen me protestues janë të papranueshme dhe të dënueshme.
Shqipëria është një shtet demokratik ku nuk mund të ketë privatizim të forcës dhe as zëvendësim të institucioneve shtetërore nga individë apo struktura private.
Shqipëria ka nevojë për investime dhe çdo investim që është në përputhje me ligjin duhet të realizohet.
Por konfliktet mes privatëve, qofshin pronarë, investitorë apo qytetarë që kundërshtojnë një projekt, nuk mund të zgjidhen me forcë, intimidim apo struktura private sigurie që marrin përsipër role që i përkasin shtetit.
Kjo është arsyeja pse shteti ekziston dhe pse zbatimi i ligjit është monopol i institucioneve publike.
Përgëzoj Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për reagimin pas protestës dhe për procedimin e rojeve private të përfshira në ngjarje.
Hetimi i plotë dhe vendosja e përgjegjësive për çdo shkelje është mënyra e vetme për të garantuar se ligji vepron njësoj për të gjithë. Shteti i së drejtës nuk negociohet”- shprehet Bido.

