KËSHILLI KOMBËTAR I PD/ Berisha jep votën e tij: Votimi i ndarë në tre kategori synon respektimin e kuotave
Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka vijuar procesi i votimit për anëtarët e Këshillit Kombëtar, ku i pranishëm ishte edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili dha votën e tij dhe ndoqi më tej punimet e Kuvendit.
Gjatë procesit janë vërejtur vonesa për shkak të numrit të madh të kandidaturave dhe mënyrës së re të organizimit të votimit.
“U vonova se këtë herë janë ndarë në tre kategori. Votimi bëhet veç për burrat, veç për gratë dhe veç për të rinjtë. Mendoj se është bërë mirë, që të respektohen kuotat.”-tha kryedemokrati.
Ai shtoi se ndarja e re synon të garantojë përfaqësim më të balancuar në strukturat drejtuese të partisë, duke respektuar edhe detyrimet statutore për përfshirjen e grave dhe të të rinjve.
“Shpresoj që gratë të arrijnë 40 për qind, si detyrim statutor, dhe që të rinjtë të jenë sa më të pranishëm.”-shtoi kryedemokrati.
Berisha u shpreh se procesi po zhvillohet mes fjalimeve dhe votimeve të vazhdueshme dhe se listat e kandidatëve përfaqësojnë një përbërje të gjerë dhe cilësore.

