RREZIK PËR VETEN DHE TË TJERËT/ Kerka: Kush nuk plotëson kriteret humbet të drejtën për të drejtuar mjetin
Aksidenti tragjik në Shkodër, me pasojë një viktimë dhe disa të plagosur, ku sipas avokatit mbrojtës i dyshuari për shkaktimin e përplasjes fatale është një person me probleme të shëndetit mendor, ka hapur debatin nëse këta persona duhet të lejohen të drejtojnë automjete.
Ekspertët e Policisë Rrugore kanë një qëndrim të qartë për këtë çështje.
Shefi i Sektorit të Sigurisë Rrugore, Ledian Kerka, bëri të ditur se policia ndjek procedura të posaçme kur evidentohen drejtues mjetesh me probleme të shëndetit mendor.
Sipas tij, në momentin që konstatohet një rast i tillë, drejtuesi shoqërohet në ambientet e policisë dhe më pas kryhen verifikimet e nevojshme në bashkëpunim me mjekët specialistë.
Ndërkohë, Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të shmangin konsumimin e alkoolit dhe substancave të tjera të dëmshme, të cilat mbeten ndër faktorët kryesorë që rrisin rrezikun e aksidenteve, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur fluksi i qarkullimit në akset kryesore të vendit është më i lartë.

