"Koha e apatisë ka mbaruar, nis faza e veprimit"/ Boçi: PD duhet të kalojë nga pritja te fitorja, s'ka më kohë për justifikime

Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, deputeti Luçiano Boçi mbajti një fjalim me fokus te situata politike dhe sfidat e opozitës, duke kërkuar një riorganizim të plotë dhe kalim nga faza e pritjes në atë të veprimit.

Boçi u ndal te gjendja aktuale në vend, duke e cilësuar atë të vështirë për qytetarët dhe duke e lidhur me nevojën për një opozitë më aktive dhe të organizuar.

Ai e quajti Kuvendin një moment përgjegjësie politike, ku sipas tij vendoset drejtimi i mëtejshëm i Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij, deputeti demokrat vlerësoi figurën e Sali Berishës, duke e lidhur atë me historinë e Partisë Demokratike dhe zhvillimet e demokracisë në vend.

Boçi theksoi se opozita duhet të fokusohet te bashkimi dhe te rikthimi i besimit të qytetarëve, duke lënë pas ndarjet e brendshme dhe pasivitetin politik.

Ai u shpreh se prioriteti i PD-së duhet të jetë fitimi i zgjedhjeve dhe rikthimi i besimit te qytetarët, jo betejat e brendshme apo interesat personale.

Sipas tij, koha e pritjes dhe e apatisë politike ka përfunduar dhe opozita duhet të hyjë në një fazë të re organizimi dhe angazhimi në terren.

Në përmbyllje të fjalës, Boçi bëri thirrje për unitet dhe mobilizim politik, duke theksuar se Partia Demokratike duhet të synojë fitore dhe ndryshim në vend.

FJALA E PLOTË E DEPUTIT DEMOKRAT, LUÇIANO BOÇI:

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, zoti Sali Berisha! Të dashura demokrate, të dashur demokratë! Zonja, zotërinj, të rinj dhe të reja! Sot jemi në një Kuvend, jo thjesht Kuvend partie që e dikton statuti, e përcaktojnë protokollet politike dhe aq më pak është një rutinë e thjeshtë zgjedhore.
Ky është një Kuvend që e dikton koha e mbrapshtë në të cilën jetojmë. Është një Kuvend që e kërkon Shqipëria e grabitur, është një Kuvend që e kërkojnë shqiptarët e revoltuar dhe është një Kuvend që sot e kërkojnë demokratët e bashkuar. Prandaj sot, ne jemi përballë me përgjegjësinë tonë, jemi përballë me ndërgjegjen tonë, jemi përballë me kthjelltësinë tonë, jemi përballë me ndershmërinë tonë, por njëherazi jemi përballë me historinë tonë. Jeta jonë e të gjithëve që ishim në këtë sallë dhe janë ende në këtë sallë, është historia jonë. Historia jonë është historia e familjes sonë të madhe dhe të vogël.
Dhe askush nuk mund ta fshijë apo ta fshehë historinë e tij, sado e mirë dhe jo e mirë të jetë ajo. Dhe aq më tepër nuk mund të fshihet dhe të fshihet historia e familjes sonë të madhe, e cila me gjithë mëkatet e vogla, është një histori e madhe. Dhe në të gjithë këto historitë tona, ka një histori të një personi që spikat mbi të gjitha. Dhe kjo është historia e Sali Berishës. Jeta e Sali Berishës është me të vërtetë historia e jetës së tij. Dhe historia e jetës së tij është histori e familjes së tij.
Por ka një gjë, historia e Sali Berishës është historia e Partisë Demokratike. Historia e Sali Berishës është histori e demokracisë shqiptare. Historia e Sali Berishës është historia e këtij vendi. Dhe të dashur miq, në këtë takim me historinë, ne vijmë me emocione të ndryshme. Dikush vjen me krenari të shtuar, pak më të madhe se ajo e zakonshmja. Dikush e shoqëron atë me shqetësimin për atë që do të ndodhë. Dikush tjetër me dhimbjen për atë që ka ngjarë pak më parë. Dikush me atë shpresën e madhe për atë që do të vijë. Por ama kemi një emërues të përbashkët.
Të gjithë vijmë këtu me bindjen e madhe se Shqipërisë i duhet domosdo Partia Demokratike. Se qytetarëve u duhet një projekt real i ndershëm për jetët e tyre dhe të familjeve të tyre. Dhe ne këtë duhet t'ua sjellim. Shqiptarët sot kërkojnë guximin tonë, shqiptarët duan vendosmërinë tonë, shqiptarët duan besimin tonë, shqiptarët duan shpresën tonë. Prandaj, të dashur miq, ne patjetër duhet të nisim nga ky Kuvend një marshim të ri, të pandalshëm, marshim jo për karrige, aspak, për shërbime, jo për hakmarrje, por për drejtësi. Jo për të ndarë copa pushteti, jo fare, për t'i kthyer shtetin shqiptarëve. Sepse, të dashur miq, ne luftojmë për liri dhe për drejtësi.
Dhe ta dini dhe mos e harroni, njeriu që kur lind dëshiron liri dhe drejtësi. Njeriu kur rritet kërkon liri dhe drejtësi. Dhe njeriu kur futet në politikë lufton për liri dhe drejtësi. Dhe në qoftë se ne që luftojmë për liri dhe drejtësi e lëmë luftën tonë, atëherë kemi dorëzuar dhe lirinë dhe drejtësinë. Në qoftë se dorëzojmë lirinë dhe drejtësinë, ne kemi dorëzuar opozitën.
Në qoftë se dorëzojmë opozitën, ne kemi dorëzuar fatet tona dhe të familjeve tona dhe në qoftë se kemi dorëzuar familjen tonë, ne kemi dorëzuar vendin tonë. Por ne nuk e pranojmë një gjë të tillë. Ne jemi luftëtarë të lirisë dhe drejtësisë.
Dhe prandaj nga ky Kuvend i rëndësishëm, historik, ne duhet të dalim me një mesazh të fortë. Mesazh që u tha nga lideri i partisë: Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur mbijetesën tonë politike, jo, ne jemi për të fituar këtu. Ne jemi për të fituar jo vetëm zgjedhjet, ne jemi për të fituar Shqipërinë dhe shqiptarët. Koha e justifikimeve ka mbaruar! Koha e pritjes ka mbaruar! Koha e apatisë ka mbaruar! Është koha e organizimit, është koha e angazhimit, është koha e luftës për fitore! Zoti e bekoftë Partinë Demokratike, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët! Faleminderit!