Afera që fsheh Bashkia e Tiranës

Më datën 11 mars, rreth tre muaj më parë, CNA dërgoi një shkresë zyrtare, të cilën e shihni më poshtë, ku ne i kërkuam Bashkisë së Tiranës të na jepte informacion në lidhje me sipërfaqet e reklamave të vendosura në eventet që zhvillohen nga Bashkia e Tiranës.

Pra, shumë e thjeshtë: sa reklama, banera, LED-wall-e janë vendosur në evente të ndryshme, le të marrim shembullin në sheshin “Skënderbej”.

Në koncertin e Vitit të Ri të vitit 2024-2025, apo evente të ndryshme pyetëm sa m2 është sipërfaqja e reklamave të dhëna me qera, atyre të vendosura dhe sa janë të ardhurat?

Këtu nuk ka ndonjë shkencë të madhe.

Bashkia ka bërë kontratën me firmën përkatëse (që ne e kemi investiguar, subjekt bashkëshorti i një prej këshilltarëve të sotëm të kryeministrit, e përfshirë në dhjetra evente) për dhënien me qira të ambienteve për të reklamuar.

Ne si media kemi kërkuar të na japin informacion për sheshin “Skënderbej”, për sheshin “Nënë Tereza” dhe për vende të tjera ku janë vendosur ledwallet, reklama, billboard-et etj., dhe sipërfaqet e tyre, kontratat që ka bërë Bashkia e Tiranës me kompaninë që do të bëjë menaxhimin e aktivitetit dhe sipërfaqet konkrete.

Që do të thotë, shumë thjesht: në sheshin Skënderbej, Bashkia e Tiranës i ka dhënë kompanisë X një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë reklamë. Kjo kontratë është kërkuar nga ne për dy apo tre vitet e fundit, për disa evente të zhvilluara, sepse janë të shumta: koncertet, aktivitetet, panairet etj.

Ne këto informacione i kërkuam zyrtarisht. Gjithashtu theksuam se na duhen, përveç këtyre kontratave apo sipërfaqeve, të dhënat dhe të ardhurat e gjeneruara, pra që ka përfituar Bashkia e Tiranës, pra të ardhurat që kanë përfituar qytetarët e Tiranës nga zhvillimi i këtyre aktiviteteve, sepse bashkia ka qenë dhe sponsore, por edhe përfituese. Kemi çuar një shkresë në datë 31 mars, një tjetër në datën 27 prill dhe shkresën e fundit e kemi dërguar dje, 26 maj.

Bashkia Tiranë fsheh skandalin

I jemi drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit, kemi shkruar dhe publikisht që ne po kërkojmë këto të dhëna, por Bashkia e Tiranës nuk na i vë në dispozicion. 

Ne nuk duam ta akuzojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të mos jemi profesionistë në investigimin tonë. Ne po kërkojmë një gjë shumë të thjeshtë: transparencë për kontratat e reklamave që ka dhënë Bashkia e Tiranës në eventet e saj dhe transparencë për të ardhurat që ajo ka marrë nga këto aktivitete. Por Bashkia e Tiranës nuk na i jep.

Cila është arsyeja që bashkia i fsheh?

Mos vallë kontratat për dhënien me qira të sipërfaqeve të reklamimit në aktivitete të ndryshme, të zhvilluara nga Bashkia e Tiranës, në letra janë shumë herë më të vogla sesa në realitet? Mos vallë kalojnë në kompanitë e lidhura me vëllanë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Skemë e qartë, kontratat i merr një kompani, për një sipërfaqe 50 m2, pastaj vjen Arbër Veliaj me kompanitë e tij dhe reklamon 1000 m2, p.sh.

Sipas të dhënave që ne kemi, kontratat janë dhënë për sipërfaqe shumë të vogla, ndërsa në eventet e zhvilluara sipërfaqet e reklamuara janë shumë më të mëdha.

Këtu ngrihet dyshim për abuzim dhe skandal që fshihet pse jo deri në një aferë.

Fshehja që u bëhet këtyre të dhënave, duke mos ia vënë në dispozicion medias, bën bashkëpunëtorë të gjithë zyrtarët e bashkisë që nuk përgjigjen, por gjejnë lloj-lloj formash duke u përpjekur t’i shmangen informacionit që ne kërkojmë.

Na thonë: “nëse doni të reklamoni, kjo është mënyra e kontratës”. 

Ne nuk kemi kërkuar kontratë të reklamojmë. Ne kemi kërkuar të marrim informacion për aktivitete që janë zhvilluar, sipërfaqet e reklamave që janë vendosur për këto aktivitete dhe të ardhurat që ka përfituar bashkia, kontratat me subjektet përkatëse që kanë marrë me qira sipërfaqet e reklamimit dhe shumat e të ardhurave që ka bashkia në xhep. Shumë e thjeshtë, asgjë më shumë sesa kaq.

Më pas, krahasimi do ta nxjerrë të vërtetën në dritë dhe, në rast se do të vazhdojnë të fshihen zyrtarët e Bashkisë së Tiranës, të cilët nuk japin këtë informacion, ne do ti çojmë përpara përgjegjësisë ligjore, një nga një për shpërdorim detyre.

Po shpërdorojnë detyrën jo vetëm duke u përpjekur të fshehin informacionin, duke shkelur më tej ligjin me veprime të tjera, ndoshta për fshirje kontratash, korrigjimin e tyre, pa folur pastaj për faktin që nuk janë kontrolluar sipërfaqet, pa folur për faktin se sipërfaqja e realitetit me sipërfaqet e kontratave është shumë herë më e madhe, pa folur për faktin se të ardhurat e gjeneruara nga Bashkia e Tiranës janë shumë herë më të vogla sesa fakti që duket nga aktivitetet e zhvilluara dhe gjithçka është mjaft e qartë.

Aferë që fshihet?!

Një grup zyrtarësh të Bashkisë së Tiranës edhe pse kryetari i tyre është në burg edhe pse drejtorët e dosjes “5D hynë” në burg edhe pse drejtorë, zyrtarë janë të akuzuar dhe në hetim, ende kanë kurajën dhe pafytyrësinë e një zyrtari që fsheh të dhënat që i kërkojnë mediet për asgjë më shumë sesa transparencë.

Në rast se kontratat janë të rregullta, në rast se sipërfaqet e përdorura me sipërfaqet e kontraktuara janë të njëjta, në rast se të ardhurat janë të sakta, ashtu siç tregojnë planet dhe videot e eventeve të zhvilluara, për çfarë i fshehin këto shifra?

Fakti që fshehin shifrat flet shumë, por ne sërish nuk do të akuzojmë.

Ne do të raportojmë me profesionalizëm dhe do t’i kërkojmë këto të dhëna deri në momentin e fundit dhe çdo zyrtar që mban përgjegjësi për to do të shkojë dhe do të përgjigjet para ligjit, nga i pari tek i fundit, pa asnjë përjashtim.

Nuk mundet më që një institucion të tallet me median, të fshehë të vërtetën, kur është një institucion i mbuluar nga skandalet, aferat dhe korrupsioni.

Çdo zyrtar që ka ngelur në atë bashki duhet të ketë të paktën kurajën dhe përgjegjësinë ashtu si ata që na e kanë dhënë ne informacionin, për të publikuar dhe për t’i bërë transparente të dhënat që ne kërkojmë. Jo vetëm për CNA-në, por për qytetarët e Tiranës, për publikun, për taksapaguesit, të cilët duhet të dinë se kush ka përfituar ose nuk ka përfituar nga keqmenaxhimi i këtij institucioni apo gjetja e hapësirave për të abuzuar dhe për të mbushur xhepat e njerëzve që rekomandohen me skema nga drejtuesit e kësaj bashkie. /Marrë me të njëjtin titull nga "CNA.al"